Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi, ka sqaruar për Gazetën Shneta pse janë pranuar disa mjekë të njëjtë në disa komuna.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar sot rezultatet e konkursit për 120 mjekë të pranuar në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna.
Në disa QKMF janë pranuar mjekë të njëjtë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek disa kandidatë të cilët kanë adresuar ankesa tek Gazeta Shneta.
Por këtë situatë e ka sqaruar Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së Naim Bardiqi. Ai ka thënë se mjekët që janë pranuar në dy komuna, do të zgjedhin në cilën do të nënshkruajnë kontratë, por asesi nuk do të mund të nënshkruajnë dy kontrata.
“Konkursi ka qenë për komuna. Një mjek i pranuar në dy komuna, do të zgjedh se në cilën do të nënshkruaj kontratë. Nuk do të ketë mundësi të nënshkruaj dy kontrata. Pastaj nëse ka komuna ku nuk kanë aplikuar fare kandidatë, do të thirren ata kandidatë që kanë mbetur jashtë në komunat tjera dhe i pyesim nëse duan të punojnë në komunat e afërta”, ka deklaruar Bardiqi.
Ai ka thënë se në procesin e rekrutimit për mbështetjen e stafit mjekësor për pandeminë, kanë nevojë për më shumë mjekë por në disa komuna nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm.
“Ne kemi nevojë për 190 mjekë, por kemi probleme sepse në disa komuna nuk ka kandidat, prandaj janë pranuar vetëm 120”, ka deklaruar ai.
Listën e plotë të kandidatëve të pranuar në këtë konkurs e gjeni në këtë vegzë MSH – Rezultatet e konkursit per QKMF ./Gazeta Shneta/