Administrata e Bidenit njoftoi të martën se do të punojë me 50 vende në mbarë botën në përpjekje për të parandaluar pandemitë globale si COVID-19, e cila e solli botën në ‘ngërç’ katër vjet më parë.
“Sot, jam krenar të njoftoj se administrata ime po nxjerr një Strategji të re Globale të Sigurisë Shëndetësore – duke përshkruar veprimet që Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin gjatë pesë viteve të ardhshme për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj kërcënimeve biologjike, kudo që ato shfaqen”, tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të postuar nga Shtëpia e Bardhë.
Si pjesë e nismës, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje dhe ekspertizë për kombet, kryesisht në Afrikë dhe Azi, me qëllim rritjen e gatishmërisë, zbulimit dhe reagimit ndaj shpërthimeve të reja, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Përpjekja e re zgjeron atë që administrata i quan “partneritetet e saj globale të sigurisë shëndetësore” nga 19 në 50 vende, tha Shtëpia e Bardhë në një fletë faktesh mbi strategjinë e re.
“Në një emergjencë shëndetësore, vendet duhet të jenë në gjendje të aksesojnë shpejt financimin për të forcuar sistemet e tyre shëndetësore, për të siguruar kundërmasa mjekësore dhe për të nisur një përgjigje efektive”.
Si investitori më i madh në botë në sigurinë shëndetësore, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me vendet dhe organizatat kryesore “për të identifikuar dhe forcuar zgjidhjet për të rritur aksesin në financim për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë”, thuhet në deklaratë. /Gazeta Shneta/