Departamenti Amerikan i Shëndetit ka vendosur të tërhiqet gradualisht nga financimi federal për vaksinat që përdorin teknologjinë mRNA, duke argumentuar se këto vaksina nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme kundër infeksioneve të rënda si Covid-19 dhe gripi.
Lajmi është bërë publik nga agjencia BARDA (Autoriteti për Zhvillim të Avancuar Biomjekësor dhe Kërkim), e cila mbikëqyr projektet e zhvillimit të vaksinave në SHBA. Sipas sekretarit të shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., vendimi është marrë pas analizimit të të dhënave dhe konsultimeve me ekspertë të fushës.
Në kuadër të kësaj strategjie të re, do të ndërpriten 22 projekte të lidhura me vaksinat mRNA. Fondet që ishin planifikuar për këto projekte do të ri-orientohen drejt vaksinave të bazuara në virus të plotë dhe teknologji të tjera që ofrojnë mbrojtje më të qëndrueshme ndaj varianteve të ndryshme të viruseve.
“Po investojmë në teknologji më të sigurta dhe me procese më transparente zhvillimi”, tha Kennedy.
Ky ndryshim vjen si pjesë e një rishikimi të gjerë të strategjive të vaksinimit pas pandemisë, me synimin për të mbështetur zhvillimin e vaksinave më të efektshme dhe me përdorim të gjerë në të ardhmen.




