Numri i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë pati filluar të rritet nga mesi i qershorit ndërsa shifrat mbi 100 të infektuar janë shënuar nga fillimi i korrikut.
Më 29 qershor janë të regjistruar 122 raste të reja pozitive, më 30 qershor 79 ndërsa më 1 korrik numri sërish kishte arritur në 113 raste. Ndërkaq më 2 korrik ishte shënuar numri prej 73 personave të infektuar, që njëkohësisht shënon edhe numrin më të vogël deri sot, shkruan Gazeta Shneta.
Që nga 2 korriku Kosova ka shënuar rekorde të të infektuarve dhe viktimave. Më datën 27 korrik Instituti Kombëtar pati raportuar 276 raste të reja pozitive, ndërsa tre ditë më vonë ishte shënuar rekord i vdekjeve me 16 viktima me Sars-Cov-2.
Kosova ditën e djeshme e ka regjistruar me zero viktima, ndërsa sot është shënuar dita me më së paku raste që nga 2 korriku, me 76 raste të reja pozitive me Covid-19.
Numri total i rasteve pozitive është 14.377 raste nga 55.513 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 574 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 144 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 10.926 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.877. /Gazeta Shneta/