Shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës ka refuzuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, ndaj vendimit të shkallës së parë e cila vendosi në favor të Basri Sejdiut.
Sejdiu u shkarkua nga Bordi Drejtues në gusht të këtij viti pas evidentimit të dhjetëra shkeljeve ligjore dhe parregullësive, si dhe raporteve të Auditorit të Brendshëm, shkruan Gazeta Shneta.
Sejdiu ishte ankuar në Inspektorat dhe ky i fundit vendosi në favor të tij me arsyetimin se shkeljet e evidentuara nuk ishin kompetencë e drejtorit. Këtë vendim e ka vërtetuar shkalla e dytë e Inspektoratit.
“Sot pranova vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, që ka hedhur poshtë si të pa bazuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK – së, të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, vendim i cili ka anuluar vendimin e Bordit Drejtues të SHSKUK-së për shkarkimin tim nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së”, ka shkruar Sejdiu.
Kujtojmë se Sejdiu poashtu është përballë edhe me një proces në Odën e Mjekëve të Kosovës e cila e ka shpallë fajtor për përdorimin e faksimilit të kardiologut pa licencë të punës, duke e detyruar të përdor vulën e internistit. /Gazeta Shneta/





