Një përparim i rëndësishëm në fushën e neuroshkencës pritet të transformojë mënyrën se si studiohet aktiviteti i trurit në organizmat e gjallë.
Një ekip studiuesish nga Kyushu University ka zhvilluar një teknikë të re që mundëson vëzhgimin e neuroneve në shtresat më të thella të trurit pa ndërhyrë në funksionimin e tyre natyror, shkruan Nature, transmeton Gazeta Shneta.
Metoda inovative, e quajtur SeeDB-Live, është prezantuar në revistën prestigjioze Nature Methods dhe synon të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha të kërkimeve neurologjike: si të rritet transparenca optike e indit të trurit pa e dëmtuar atë.
Sipas studiuesve, teknikat ekzistuese shpesh kërkojnë trajtime që e bëjnë indin e trurit transparent, por njëkohësisht e dëmtojnë ose e bëjnë atë jo-funksional. Ndryshe nga këto metoda, SeeDB-Live lejon që indet të mbeten të gjalla dhe funksionale gjatë vëzhgimit.
Kjo hap mundësi të reja për studimin e proceseve komplekse të trurit, si komunikimi ndërmjet neuroneve, zhvillimi i sëmundjeve neurologjike dhe efektet e trajtimeve të ndryshme në kohë reale.
Ekspertët vlerësojnë se ky zhvillim mund të ketë ndikim të madh në kërkimet për sëmundje si Alzheimer-i dhe Parkinson-i, duke ndihmuar në kuptimin më të thellë të mekanizmave të tyre dhe në zhvillimin e terapive më efektive në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


