Një studim i ri nga Spanja ka dhënë shpresa të reja në trajtimin e kancerit të pankreasit, një nga format më agresive dhe vdekjeprurëse të kancerit.
Studiuesit kanë arritur të zhdukin plotësisht tumoret e pankreasit te minjtë, duke përdorur një terapi të kombinuar me tre ilaçe.
Hulumtimi është realizuar nga Qendra Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin dhe është publikuar në revistën shkencore PNAS, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve, kombinimi i tre barnave ka ndaluar rritjen e tumorit dhe ka parandaluar rikthimin e tij, pa shkaktuar efekte anësore serioze.
Kanceri i pankreasit njihet për rezistencën e shpejtë ndaj trajtimeve dhe për shkallën shumë të ulët të mbijetesës.
Në Spanjë, mbi 10 mijë persona diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje, ndërsa më pak se 10 për qind e pacientëve jetojnë më shumë se pesë vjet pas diagnostikimit.
Studiuesit shpjegojnë se trajtimi funksionon sepse godet kancerin nga disa drejtime njëkohësisht, duke mos i lënë mundësi tumorit të përshtatet dhe të vazhdojë rritjen.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate janë arritur vetëm në laborator dhe se terapia nuk është ende gati për t’u testuar te njerëzit.
Ata theksojnë se nevojiten studime të tjera përpara se kjo qasje të përdoret në spitale./Gazeta Shneta/


