Inteligjenca artificiale po sjell një revolucion në mjekësi, ndërsa tani ka ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë klasën e parë të re të antibiotikëve pas më shumë se 60 vitesh. Ky zbulim mund të jetë një pikë kthese në luftën kundër rezistencës ndaj antibiotikëve, një nga kërcënimet më serioze për shëndetin global.
Antibiotikët e rinj janë zhvilluar për të luftuar bakterin rezistent Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës, i njohur si MRSA. Ky bakter shkakton mijëra vdekje çdo vit dhe mund të sjellë infeksione nga ato të lehta të lëkurës deri te pneumoni apo infeksione të rënda të gjakut.
Studimi u publikua në revistën “Nature” dhe u realizua nga një ekip prej 21 studiuesish nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusets (MIT) dhe institucione të tjera partnere. Studiuesit përdorën modele të avancuara të të mësuarit të thellë makinerik për të parashikuar aktivitetin antibakterial dhe toksicitetin e përbërjeve të reja.
Për trajnim, sistemi analizoi rreth 39 mijë përbërje kimike dhe më pas kontrolloi afro 12 milionë substanca të disponueshme në treg. Qëllimi ishte të gjendeshin molekula që shkatërrojnë bakteret, por me dëm minimal për qelizat njerëzore.
Nga ky proces u identifikuan pesë klasa përbërjesh premtuese. Studiuesit testuan rreth 280 prej tyre në laborator dhe zbuluan dy kandidatë shumë të fuqishëm nga e njëjta klasë antibiotikësh.
Në testet me minj, si për infeksione të lëkurës ashtu edhe për infeksione sistemike, këto përbërje ulën popullatën e bakterit MRSA me dhjetë herë. Kjo tregon potencial të madh për trajtime të reja në të ardhmen.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i AI e bën procesin më të shpejtë, më ekonomik dhe më të saktë. Nëse zhvillimi vazhdon me sukses, ky zbulim mund të hapë një epokë të re në krijimin e antibiotikëve dhe në mbrojtjen kundër baktereve rezistente. /Gazeta Shneta/


