Një grup shkencëtarësh kanë zhvilluar një pajisje inovative në formë patch-i që ngjitet në lëkurë dhe mund të monitorojë vazhdimisht shëndetin e foshnjës gjatë shtatzënisë.
Pajisja e quajtur “UPatch” përdor teknologjinë e ultrazërit për të përcjellë në kohë reale rrjedhën e gjakut dhe gjendjen e fetusit në mitër, duke ofruar monitorim për orë të tëra pa pasur nevojë për praninë e vazhdueshme të specialistëve.
Teknologjia është zhvilluar nga studiues të Universiteti Stanford, Universiteti i Oksfordit dhe Universiteti i Kalifornisë në San Diego, ndërsa rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Nature Biotechnology.
Sipas studiuesve, pajisja synon të reduktojë alarmet e rreme, të shmangë vizitat e panevojshme në spital dhe të përmirësojë qasjen në kujdesin prenatal, sidomos në zonat me mungesë specialistësh.
Në testimet e realizuara me 62 gra shtatzëna, rezultatet e UPatch kanë qenë të ngjashme me ato të ultrazërit tradicional, duke treguar se pajisja mund të monitorojë me saktësi rrjedhën e gjakut dhe gjendjen e fetusit për periudha më të gjata kohore.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se rrjedha e gjakut tek fetusi mund të ndryshojë vazhdimisht gjatë ditës dhe se disa ndryshime të përkohshme nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht komplikime serioze.
Në një rast të rëndë të preeklampsisë, pajisja identifikoi ndryshime shqetësuese në rrjedhën e gjakut, çka bëri që mjekët të shtonin monitorimin dhe të kryenin lindje me prerje cezariane katër ditë më vonë.
Profesoresha Antoniya Georgieva tha se kjo teknologji hap mundësinë për monitorim të vazhdueshëm dhe jo invaziv të mirëqenies së fetusit për periudha shumë më të gjata sesa është e mundur aktualisht.
Ndërkohë, studiuesja Mariana Tome deklaroi se pajisja mund ta ndryshojë përvojën e shtatzënisë, duke i bërë gratë të ndihen më të sigurta dhe më të mbështetura gjatë gjithë periudhës së pritjes së foshnjës.
Megjithatë, UPatch mbetet ende në fazën eksperimentale dhe aktualisht kërkon pajisje shtesë për funksionim. Studiuesit thonë se versionet e ardhshme mund të jenë plotësisht pa kabllo dhe më të vogla, duke e bërë monitorimin e fetusit pjesë të përditshmërisë së shtatzënisë.


