Shkencëtarët në California Institute of Technology (Caltech) kanë zhvilluar një maskë të avancuar që mund të analizojë frymëmarrjen dhe të identifikojë shenja të ndryshme sëmundjesh. Pajisja e re përdor teknologjinë Bluetooth për të ngarkuar të dhënat në një aplikacion të dedikuar, duke ofruar një mënyrë të përballueshme dhe efikase për të monitoruar biomarkerët që lidhen me frymëmarrjen dhe metabolizmin.
Sipas studiuesve, maska ka potencialin të përmirësojë diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të mushkërive dhe të ndihmojë në ndjekjen dhe trajtimin e personalizuar të pacientëve. “Teknologjia jonë mund të shërbejë si një platformë e përgjithshme për analizimin e frymëmarrjes. Ne mund të përzgjedhim sensorë të ndryshëm për sëmundje të caktuara ose disa sensorë për një larmishmëri sëmundjesh,” tha Wei Gao, një nga autorët kryesorë të studimit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Maska funksionon duke kondensuar avujt e frymëmarrjes dhe përdor një hidroxhel që ftohet nga avullimi natyral i ujit. Frymëmarrja e kondensuar analizohet nga sensorët e maskës, të cilët mund të dallojnë nivelet e elementëve të ndryshëm si alkooli, pH, amonium dhe nitrit. Këto të dhëna pastaj përpunohen për të ofruar informacion të vlefshëm mbi shëndetin e pacientit.
Eksperimentet e kryera te vullnetarët e shëndetshëm dhe ata me probleme në frymëmarrje, përfshirë astmatikët, kanë treguar se maska mund të dallojë ndryshimet në përqendrimin e alkoolit dhe të monitorojë nivelet e amoniumit që lidhen me konsumimin e proteinave. Për më tepër, maska ka treguar një përqendrim më të lartë të nitritit në individët me rrugë të irrituara frymëmarrjeje dhe tek astmatikët.
Një nga avantazhet e kësaj maskë është se mund të mbahet gjatë aktiviteteve të përditshme dhe gjatë natës, duke mundësuar monitorimin e shëndetit në kohë reale pa nevojën për vizita të shpeshta mjekësore. Përveç kësaj, kostoja e maskës është relativisht e ulët, me një pjesë ripërdorim të kostos disa dhjetëra dollarë dhe pjesën e ndërrueshme rreth 1 dollar./Gazeta Shneta/


