Shoqata e Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës (SHAIK) ka njoftuar se është në fazën përfundimtare të hartimit të dokumentacionit të standardizuar për anestezionin, i cili synon të përdoret në institucionet shëndetësore në mbarë vendin.
Për këtë qëllim, vitin e kaluar SHAIK formoi një grup punues që ka përgatitur formularët e vizitës preanestetike, fletëinformimin dhe fletëpëlqimin e pacientit, si dhe dokumente të tjera të nevojshme për procesin e anestezionit, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas shoqatës, dokumentet pritet t’i prezantohen së shpejti Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), me propozimin që të zbatohen si standard i përbashkët në spitalet publike dhe private në Kosovë.
Standardizimi i këtij dokumentacioni synon të unifikojë praktikat e punës në anesteziologji dhe të përmirësojë organizimin e kujdesit ndaj pacientëve. /Gazeta Shneta/



