Shoqata e Radiologëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e konkursit për pozitën e mjekut specialist në Radiologji në QKUK, duke reaguar se procesi ka pasur parregullsi profesionale dhe metodologjike.
Në një dokument të siguruar, shoqata thekson se disa pyetje të testit dhe çelësi i përgjigjeve kanë qenë të pasakta dhe nuk kanë përputhje me literaturën standarde profesionale, duke cenuar parimet e barazisë dhe objektivitetit në vlerësimin e kandidatëve, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo shoqatë ka përmendur konkretisht pyetjet nr. 12 dhe 14, ku sipas analizës profesionale ekzistonin më shumë alternativa të sakta sesa ato të pranuara nga komisioni vlerësues.
Shoqata vlerëson se përfshirja e disa elementeve në pyetje e bën testin metodologjikisht të mangët, klinikisht jokohorent dhe profesionalisht të papranueshëm.
Sipas tyre, një test profesional duhet të vlerësojë njohuritë reale dhe arsyetimin korrekt kliniko-radiologjik, e jo të krijojë konfuzion për kandidatët.
Si masë për rikthimin e ligjshmërisë dhe besueshmërisë në proces, Shoqata e Radiologëve të Kosovës kërkon anulimin e plotë të konkursit dhe i bën thirrje institucioneve kompetente që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe transparencë, në përputhje me standardet profesionale në sistemin shëndetësor./Gazeta Shneta/




