Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës e ka shpërblyer me tender 2.2 milionë euro për oksigjen kompaninë të cilën e kishte paralajmëruar ish-ud drejtori i SHSKUK-së Saudin Maliqi, përmes një deklarate për media
SHSKUK me një tender për furnizim me oksigjen të ndarë në dy lote, ka shpërblyer dy kompani me mbi 2.8 milionë euro. Njëra prej tyre, kompania “Medica” ka fituar lot 2 në vlerë 2,227,230 milionë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Saudin Maliqi, ndonëse nuk e kishte përmendur me emër kompaninë “Medica”, kishte paralajmëruar para disa javësh se do kjo kompani do të shpërblehet me tenderin për furnizim me oksigjen medicinal pasi e njëjta do të licencohej për mbushje të oksigjenit në Kosovë.
“Këtë problem ne e kemi zgjedhur dhe besoj dita e hane ka me qit Kosovën me këtë problem të zgjidhur. Nga java e ardhshme nuk do të kemi problem me oksigjen sepse janë në procedura të kryera të licencimit të një kompanie e cila prodhon në Kosovë oksigjen në sasi të mjaftueshme për Kosovën”, kishte deklaruar Maliqi në një intervistë për RTV Dukagjini.
Maliqi këtë deklaratë e kishte dhënë gjatë kohës sa tenderi për furnizim me oksigjen ishte ende në procedurën e ofertimit. Kompania në të cilën kishte aluduar ai, “Medica”, tashmë është shpërblyer me lot 2 mbi 2.2 milionë euro.
Me çmim mbi 140 mijë euro më të lirë ka konkurruar kompania “Medical Group”, por e njëjta nuk është shpallë fituese për këtë lot me arsyetimin se nuk mund t’i plotësojë kërkesat për furnizim nga QKUK dhe Spitalet e Përgjithshme. “Medical Group” është shpërblyer me lot 1 në vlerë mbi 610 mijë euro. /Gazeta Shneta/