Të paktën 15 persona kanë vdekur në një shpërthim të ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, tha ministria e shëndetësisë e vendit.
Prania e virusit ishte konfirmuar te një grua shtatzënë 34-vjeçare, e cila u shtrua në spital muajin e kaluar pasi shfaqi simptoma që përfshinin temperaturë të lartë dhe të vjella të përsëritura, shtoi ministria.
Ajo vdiq disa orë më vonë nga dështimi i shumëfishtë i organeve, raporton BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Ky do të jetë shpërthimi i 16-të i virusit vdekjeprurës në shtetin e gjerë të Afrikës Qendrore, i cili ka shërbime të dobëta shëndetësore dhe është goditur nga konflikti në lindje.
Shpërthimi i fundit është në provincën qendrore Kasai, me 28 raste të dyshuara të regjistruara, tha ministria.
Zyrtarët kanë kërkuar respektim të rreptë të masave parandaluese, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve dhe distancimin social në zonat me rrezik të lartë.
Testet identifikuan llojin Zaire të Ebolës, një sëmundje e rrallë por shpesh vdekjeprurëse, thanë zyrtarët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se po “vepronte me vendosmëri për të ndaluar shpejt përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur komunitetet”.
Katër punonjës shëndetësorë ishin midis 15 personave që kishin vdekur, tha ajo.
“Numri i rasteve ka të ngjarë të rritet ndërsa transmetimi është duke vazhduar. Ekipet e reagimit dhe ekipet lokale do të punojnë për të gjetur njerëzit që mund të jenë të infektuar dhe kanë nevojë për kujdes, për të siguruar që të gjithë të mbrohen sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi OBSH-ja në një deklaratë.
Republika Demokratike e Kongos kishte një “stok trajtimesh”, duke përfshirë 2,000 doza të vaksinës Ervebo, “efektive për t’u mbrojtur kundër këtij lloji të Ebolës”, tha organi global i shëndetit.
Shpërthimi i fundit i Ebolës në RD të Kongos ndodhi tre vjet më parë, duke vrarë gjashtë persona.
Një shpërthim në vitet 2018-2020 ishte shumë më vdekjeprurës, duke marrë më shumë se 2,000 jetë njerëzish.
Virusi, i cili mendohet se e ka origjinën te lakuriqët e frutave, u zbulua për herë të parë në vitin 1976 pranë lumit Ebola në atë që tani është Republika Demokratike e Kongos.
Njerëzit infektohen kur kanë kontakt të drejtpërdrejtë përmes lëkurës së dëmtuar, ose gojës dhe hundës, me gjakun, të vjellat, jashtëqitjet ose lëngjet trupore të dikujt me Ebola./Gazeta Shneta/




