Numri i të vdekurve nga një shpërthim i fruthit në Zimbabve është rritur në pothuajse 700 fëmijë, njofton ministria e shëndetësisë së vendit.
Megjithë thirrjet për miratimin e legjislacionit për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, në vend ende mbizotëron sektet fetare anti-mjekësore me ndikim në një pjesë të madhe të popullsisë prej 15 milionë banorësh.
Ministria e Shëndetësisë së vendit të Afrikës Jugore njoftoi se në fundjavë 698 fëmijë kanë vdekur nga fruthi që nga fillimi i shpërthimit në muajin prill shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Shifrat e fundit janë më shumë se katërfishi i numrit të vdekjeve të njoftuara rreth dy javë më parë, kur ministria tha se 157 fëmijë, shumica e të cilëve ishin të pavaksinuar për shkak të besimeve fetare të familjes së tyre, i ishin nënshtruar sëmundjes.
Dr. Johannes Marisa, Presidenti i Shoqatës së Mjekëve Privatë Mjekësor dhe Dentar të Zimbabvisë, tha për burimin Associated Press, se qeveria duhet të përshkallëzojë një fushatë të vazhdueshme vaksinimi masiv dhe të nisë programet e ndërgjegjësimit që synojnë veçanërisht grupet fetare kundër vaksinës.
“Për shkak të rezistencës, arsimi mund të mos jetë i mjaftueshëm, kështu që qeveria duhet të konsiderojë gjithashtu përdorimin e masave shtrënguese për të siguruar që askush të mos lejohet të refuzojë vaksinimin për fëmijët e tyre,” tha Dr. Marisa.
Ai i kërkoi qeverisë “të konsiderojë miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër sëmundjeve vrasëse si fruthi”.
Përhapja e fruthit u raportua për herë të parë në provincën lindore Manicaland në fillim të prillit dhe që atëherë është përhapur në të gjitha pjesët e vendit.
Sektet e krishtera janë kundër mjekësisë moderne dhe tubimet e kishave që kanë rifilluar pas lehtësimit të kufizimeve të COVID-19 kanë “çuar në përhapjen e fruthit në zonat e paprekura më parë”, tha ministria e shëndetësisë në një deklaratë javën e kaluar.
Fruthi është ndër sëmundjet më infektive në botë dhe më së shumti përhapet në ajër me kollë, teshtitje apo kontakt të ngushtë.
Simptomat përfshijnë kollën, temperaturën dhe skuqjen e lëkurës, ndërsa rreziku i fruthit të rëndë ose vdekjes nga komplikimet është i lartë tek fëmijët e pavaksinuar. /Gazeta Shneta/




