Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se janë rekomanduar masa të reja anti covid për të parandaluar përhapjen e virusit.
Së fundmi është marrë vendim që mësimi në shkolla fillore dhe të mesme të jetë në formë të alternuar shkruan TopChannel, transmeton GazetaShneta.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve i’u është rekomanduar Ministrisë së Arsimit që nga 1 dhjetori mësimi në shkolla të zhvillohet në formë klasike, por edhe online.
“Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra. Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore.” -tha Manastirliu.
Rekomandimi nga Ministria e Shëndetësisë pritet që në ditët në vijim të miratohet nga Ministria e Arsimit.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit në Shqipëri, nga 2,137 testime të kryera janë identifikuar 644 raste të reja; 8 viktima dhe 365 të shëruar./GazetaShneta/