Gjatë ditës së sotme është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor të Kosovës (OIK).
Në njoftimin e SHSKUK-së thuhet se ky memorandum “shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional, me synim të avancimit profesional të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, transmeton Gazeta Shneta.
Marrëveshja parasheh “mbështetje të përbashkët për edukimin e vazhdueshëm profesional, shkëmbimin e njohurive, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend”.
Përmes këtij bashkëpunimi, palët “angazhohen të krijojnë mundësi të reja për trajnim, specializim dhe zhvillim të kapaciteteve profesionale për infermierë të profileve të ndryshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve të kujdesit shëndetësor dhe në shërbimin më të mirë për qytetarët tanë”, përfundon njoftimi.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, dhe kryetarja e OIK-së, Nexhmije Gori./Gazeta Shneta/




