Në vitet e fundit, përdorimi i barnave GLP-1 për humbje peshe është rritur ndjeshëm. Ilaçe si Ozempic dhe Mounjaro, të miratuara fillimisht për diabetin e tipit 2, shpesh përshkruhen jashtë udhëzimeve për humbje peshe, ndërsa Wegovy dhe Zepbound janë të miratuara posaçërisht për obezitet.
Megjithatë, sipas burimit Medical News Today, kostoja mbetet një pengesë madhore: 54% e amerikanëve që i kanë përdorur GLP-1 raportojnë vështirësi për t’i përballuar financiarisht, madje edhe me mbulim sigurimi.
Për t’iu përgjigjur këtij problemi, platforma online Noom ka nisur programin “Noom Microdose GLP-1Rx”, që synon të ulë koston, të reduktojë efektet anësore dhe të ndihmojë në krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme të sjelljes.
Mikrodozimi nënkupton përdorimin e dozave më të ulëta se skema standarde. Sipas Dr. Maria Cecilia C. Asnis nga Columbia University, kjo qasje lejon personalizimin e trajtimit bazuar në nevojat dhe tolerancën individuale, transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Babak Orandi nga NYU Langone shton se shumë mjekë tashmë e praktikojnë këtë metodë, pasi disa pacientë reagojnë mirë ndaj dozave më të ulëta dhe rritja e shpejtë e dozës vetëm shton efektet anësore.
Dietologia Kayley George shpjegon se mikrodozimi nuk ndryshon përbërjen aktive të ilaçit – p.sh. semaglutide te Ozempic – por Noom fillon me më pak se 25% të dozës standarde prej 0.25 mg në javë dhe e rrit në mënyrë të personalizuar, ndryshe nga protokolli tradicional që e rrit çdo katër javë.
Kjo qasje ofron fleksibilitet, por ekspertët theksojnë se siguria dhe efikasiteti i saj kërkojnë ende studime të mëtejshme klinike. /Gazeta Shneta/


