Sindikata e Infermierëve dhe SHSKUK janë dakorduar sot që t’i përmirësojnë listat e infermierëve që do të përfitojnë nga 300 euro shtesë sipas vendimit të Qeverisë. Vendimi i Qeverisë i përfshinë vetëm ata punëtorë shëndetësorë që kanë punuar direkt me Covid-19
Kjo është bërë e ditur sot nga kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, në një deklaratë për media pas takimit me drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqi, shkruan Gazeta Shneta.
“Bashkë jemi dakorduar që të përfundojmë listën pas orës 12:00 dhe t’i përcjellim MSH-së me përmirësime ashtu siç i kanë kërkuar dhe infermierët t’i marrin këto shtesa sipas vendimit të Qeverisë. Të gjithë infermierët e SHSKUK-së të paguhen sipas vendimit të Qeverisë”, ka deklaruar Havolli.
Në anën tjetër SHSKUK ka deklaruar se kanë siguruar sindikalistët se infermierët do të paguhen sipas vendimit të Qeverisë.
“Duke folur për zbatimin e Vendimit të Qeverisë për shtesat në pagë, drejtori Krasniqi, ka siguruar sindikalistët e infermierisë se zbatimin e vendimit do të bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë. Në anën tjetër, drejtuesit e Sindikatës së Infermierisë, kanë falenderuar drejtorin për takimin dhe angazhimet e vazhdueshme për të siguruar mirëqenie dhe kushte më të mira për infermierët. Gjatë takimit, drejtuesit e Sindikatës u pajtuan dhe u bindën se ekziston vullnet dhe angazhim konkret nga ShSKUK, për tejkalim të situatës në lidhje me shtesat për muajin korrik dhe gusht për infermierët”, thuhet në njoftim. /Gazeta Shneta/