Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka ftuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastin ndaj kardiologut Gani Bajraktari, i cili akuzohet se ka referuar një pacient për në spital privat.
I njëjti rast ka shkuar edhe në Komisionin Disiplinor pas kërkesës së drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Imri Jashari. Siç ka mësuar Gazeta Shneta, Bajraktari ende nuk është marr në pyetje në Komisioni dhe as nga Policia pasi gjendet jashtë vendit.
Policia në një përgjigje për Gazetën nuk ka komentuar rastin duke mos e konfirmuar as ftesën e SHSKUK-së për hetime për rastin që po konsiderohet si “Stenta 2”.
Familjari ka akuzuar Bajraktarin se nuk e ka propozuar babanë e tij për t’ia kryer koronarografinë në mbledhjet e mëngjesit. Ai shkruan në ankesën e tij se ka lutur disa herë mjekun që ta bënte propozimin, por sipas tij, Bajraktari i kishte sugjeruar që të shkonin në një spital privat.
“Pas disa lutjesh nga ana jonë doktor Bajraktari tha: ‘skam çka bëjë më shumë, po e shihni si po shkon këtu puna, hajdeni në spital privat dhe unë ju bëjë një paketë ofertë për koronarografi’ duke përmendur edhe shifra të hollash”, shkruan në ankesë.
Gazeta ditë më parë ka dërguar pyetje në adresë të Bajraktarit por i njëjti nuk është përgjigjur. /Gazeta Shneta/