Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës i ka reaguar Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë duke thënë se kjo organizatë nuk e ka kuptuar drejtë vendimin për orarin e punës.
FSSHK sot doli me një reagim kundër vendimit të drejtorit të SHSKUK-së Elvir Azizi për orarin e punës 07:00-15:00 për të gjitha njësitë. FSSHK e ka quajtur këtë vendim si cënim për shëndetin e punëtorëve sidomos për njësitë ku ka rrezikshmëri, shkruan Gazeta Shneta.
Por SHSKUK ka dal me një kundërreagim duke thënë se FSSHK nuk e ka kuptuar drejtë vendimin dhe ka reaguar pa bërë konsultim paraprak.
“Vendimi i ShSKUK rregullon vetëm orarin e rregullt të punës dhe në asnjë mënyrë nuk e konteston apo mohon rrezikshmërinë në shërbime të caktuara, nuk është për UNIFIKIM dhe orar UNIK, por vetëm zbatim i orarit të rregullt të punës! Na vjen keq që Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) nuk e ka kuptuar drejtë vendimin e ShSKUK për orarin e rregullt të punës dhe që reagimi është bërë pa konsultim paraprak”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Nga ky institucion kanë thënë se të punësuarit do të gëzojnë të gjitha benefitet e tjera të parapara me Ligj.
“Vlerësimi i rrezikshmërisë dhe masave mbrojtëse nuk është bërë nga vitit 2020/2021, ndërkohë janë shtuar shumë shërbime dhe masa mbrojtëse dhe është e nevojshme të bëhet një ri/vlerësim. Vendimi parasheh që secili drejtor klinike, spitali apo njësie të bëjë vendim individual për rrezikshmërisë për të punësuarit. Për këtë proces do të angazhohet edhe Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, si institucion i verifikuar dhe certifikuar për vlerësim të rrezikshmërisë, e cila do të ju ndihmojë drejtorëve të njësive”, kanë deklaruar nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/




