Klinika e Kardiologjisë nën udhëheqjen e Gani Bajraktarit, kishte kërkuar material shpenzues stenta dhe bateri për zemër (pacemaker), më shumë sesa kishte nevojë.
Madje kërkesa ishte bërë edhe në kohën kur aparati i koronarografisë nuk ishte në funksion fare për shkak të defektit, shkruan Gazeta Shneta.
Vetëm në vitin 2015 vlera e këtij materiali shpenzues ishte rreth 2.2 milionë euro. Shumicës së stentave dhe baterive u ka skaduar afati për shkak të mospërdorimit.
Bordi i Drejtorëve të SHSKUK-së kishte urdhëruar drejtorin Curr Gjocaj që të ndërmarr hetime dhe masa ndaj Bajraktarit dhe kërkesës së tij për këto materiale si dhe skadimit të afatit që si pasojë pati dëmtimin e buxhetit të shtetit miliona euro.
Por krejt këto procedura janë pezulluar pasi zyra e Gjocajt thotë se Bajraktari po hetohet nga organet e drejtësisë.
“Sa i përket masave disiplinore, komisioni disiplinor, si organ i brendshëm i QKUK-së, ka hulumtuar këtë rast dhe ka marrë vendim për pezullimin e procedurës disiplinore deri në një vendim te organeve te hetuesisë në procedure penale, meqë rasti është duke u hetuar edhe nga organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Një burim i Gazeta Shneta thotë se mungesa e këtij materiali shpenzues tani pas skadimit të afatit, po u shkakton telashe të mëdha me pacientët, jeta e të cilëve varet nga stentat dhe bateritë e zemrës.
“Ne po i bartim pasojat e keqmenaxhimit të drejtorit të kaluar. Stentat dhe ‘pacemaker-at’ i kemi hedhur në bërllok e tani po iu kërkojmë pacientëve që t’i blejnë vet”, thotë ky zyrtar i klinikës.
Ai ka bërë të ditur se prokuroria tashmë i ka marr dokumentet që lidhen me kërkesën për furnizim të këtij materiali nga zyra e ish-drejtorit Bajraktari. /Gazeta Shneta/