Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka dal me një reagim qesharak mbi dyshimet për gabimin e drejtorit të Klinikës së Radiologjisë Dr. Bujar Gjikolli. SHSKUK nuk e ka mohuar se Gjikolli ka gabuar me vendosjen e principeve për dozën e injektimit të kontrastit, ndërsa për çudi menaxhmenti i SHSKUK-së konsideron se ky produkt nuk rrezikon shëndetin e pacientëve
Gjatë ditës së djeshme Gazeta Shneta ka raportuar mbi dyshimet për një gabim që ka ndodhur në Klinikën e Radiologjisë. Drejtori i kësaj klinike Dr. Bujar Gjikolli, ka vendosur një listë në kabinetin e Rezonancës Magnetike në të cilën ka përcaktuar dozën e kontrastit që duhej injektuar tek pacientët.
Ndaj këtij vendimi të Gjikollit ka reaguar prodhuesi i kontrastit “GE Healthcare” e cila ka kërkuar që të rishqyrtohet ky vendim pasi i njëjti është i gabueshëm profesionalist dhe jo etik, si dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda tek pacientët. “GE” përmes përfaqësuesit zyrtar në Prishtinë kompaninë “Amicus”, ka kërkuar nga QKUK që t’iu sigurojë të dhëna sesa pacientë kanë kryer MRI me këtë metodë dhe cilat kanë qenë pasojat.
SHSKUK dhe Gjikolli fillimisht nuk janë përgjigjur dhe nuk kanë dhënë sqarime lidhur me këtë gjendje në pyetjet e Gazetës Shneta të dërguara më 10 dhjetor. Tek sot ky institucion ka dal me një reagimi, i cili më tepër është qesharak sesa jep sqarime.
SHSKUK nuk po e konsideron kontrastin si ilaç dhe si i tillë thotë se nuk ka veprim farmakologjik në trupin e njeriut. Por Agjencia për Barna dhe Ushqim e SHBA-së (FDA), kontrastin e jodizuar (Kliko KËTU) dhe atë paramagnetik (Kliko KËTU) i cilëson si ilaçe (drugs).
“Lidhur me shkrimet se po rrezikohet jeta e pacientëve në Klinikën e Radiologjisë nga përdorimi i kontrastit paramagnetik për kontrollime me rezonancë magnetike, SHSKUK i demanton ato, me faktin se kontrasti për nga funksioni nuk është ilaq (bari farmakologjik) dhe fillimisht nuk ka veprim farmakologjik në trup, përndryshe nuk do të mund të quhej mjet kontrasti”.
Por në fakt një nga shqetësimet më të mëdha aktualisht në fushën e radiologjisë janë efektet negative që mund t’i shkaktojë kontrasti. Sipas Shoqatës së Radiologëve të Amerikës Veriore (RSNA), kontrastet me bazë jodin ose gadoliniumin mund të kenë efekte edhe kërcënuese për jetën. Dhe një nga këto efekte është rënia e funksionit të veshkës. (Klikoni KËTU për më tepër detaje)
Madje Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka ndaluar përdorimin e disa agjentëve linearë të kontrastit gadolinium për ekzaminimin e trurit me MRI pasi është konstatuar se një sasi e tij depozitohet dhe mbahet në tru. Ky lloj kontrasti është ndaluar për përdorim edhe në Kosovë vitin e kaluar.
Ndërsa kontrasti ‘Clariscan’ i prodhuar nga “GE” i cili është përdorur në rastin e Radiologjisë në QKUK, është paramagnetik me bazë gadoliniumin por është makrociklik dhe i njëjti lejohet për përdorim në BE dhe në Kosovë.
“Kontrasti përdoret për të marrë informata shtesë imazherike mbi ndryshimet patologjike të mundshme gjatë incizimeve radiologjike, dhe jo për qëllime terapeutike. Kontrasti paramagnetik përdoret në të gjitha njësitë e SHSKUK, sipas dozave të rekomanduara nga prodhuesi”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Në fakt kjo nuk ka ndodhur pasi siç është evidentuar në artikullin e parë të Gazetë Shneta, Gjikolli ka vendosur doza të tjera për injektimin e kontrastit ndryshe nga udhëzimi i prodhuesit.
“Ngritja e panikut në popullatë me deklarata për të cilat SHSKUK nuk ka dëshmi se janë të autorizuara nga prodhuesi, është tendencioze dhe tepër të rrezikshme. SHSKUK, tashmë ka kërkuar qartësime nga prodhuesi për deklaratat e distributorit lokal dhe do ta informoj opinionin në ditët në vijim”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Ky institucion përveç akuzave për ngritje të panikut, nuk është marr me pasojat e mundshme tek pacientët si dhe nuk janë marr masa për gabimin që është bërë me vendosjen e dozave të kontrastit të cilat kanë dalluar nga ato të udhëzimit të produktit të cilat janë të miratuara edhe nga Agjencia Evropiane e Barnave. /Gazeta Shneta/