Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar mbi 52 mijë euro donacione gjatë muajve mars dhe prill. Donacioni nga Fondacioni ‘Golden Eagle’ u shpërnda në formë të materialeve mbrojtëse pasi SHSKUK nuk pranon donacione në formë monetare
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar mbi 52 mijë euro donacione gjatë kohës së pandemisë Covid-19 në muajin mars dhe prill. Një prej këtyre donacioneve është edhe ai nga Fondacioni Humanitar ‘Golden Eagle’ në vlerë 13 mijë euro. Këto para fillimisht ishin dedikuar për stafin e Klinikës Infektive dhe QKMF Suharekë, por më vonë u ndryshua destinacioni i tyre, shkruan Gazeta Shneta.
‘Golden Eagle’ e ka konfirmuar këtë në një përgjigje për Gazetën, por ka sqaruar pse nuk u ndanë paratë për stafin e Infektives.
“Në fillim dëshira e Fondacionit ishte që t’i përkrahë sado pak punëtorët shëndetësor, saktësisht stafin e Repartit Infektivë të QKUK-së me shumë prej 10,000 Euro si dhe stafin e QKFM-Suharekë me shumë prej 3,000 Euro. Por pas shkresës së drejtuar në Zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim të donacioneve të ShSKUK-së, ne morëm përgjigjen si më poshtë: Bazuar ne përvojat e mëhershme të donacioneve drejtuar QKUK-së, ne si institucion nuk pranojmë donacione në formë monetare. Gjithmonë i rekomandojmë donatorët që fondet e ndara t’i konvertojnë në të mira materiale dhe të nevojshme për mirëqenien e institucionit në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e Fondacionit.
Më pas ‘Golden Eagle’ ua kishte ndërruar destinacionin këtyre mjeteve duke blerë gjëra esenciale të cilët ishin të nevojshme për stafin mjekësor për përballimin e koronavirusit. Me paratë e donacionit u dhuruan veshje antibakteriale për QKUK-në, Spitalin e Prizrenit, QKMF në Suharekë, QMF në Malishevë e Drenas.
“Gjithashtu në koordinim me Drejtorin e Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, për mjekët vullnetar që janë duke punuar në këtë kohë pandemie iu janë ndarë pagat për muajin Prill”, thuhet në përgjigjen e Fondacionit.
Zyra për Donacione pranë SHSKUK-së ka konfirmuar poashtu se asnjë donacion në formë monetare nuk është pranuar nga kjo zyrë për Klinikën Infektive dhe as për stafin e saj.
“Donacionet që janë dhënë për Kliniken Infektive janë kryesisht për mbrojtje personale si maska mburoje, veshje, maska kirurgjike, doreza! Janë dhënë barëra, koncentratorë të oksigjenit, çarçafë sterile, nga Neptun (frigorifer, ngrohës uji, aparat për kafe), nga Coca Cola (ujë dhe pije për një muaj)”.
“Vlera e përgjithshme e donacioneve për COVID 19, për periudhën mars, prill është 52,220.69€! Ekskluzivisht për Kliniken Infektive vlera është 6,001.69 €! Duhet theksuar që vlera për klinikën Infektive është më e madhe duke pasur parasysh që donacionet e dërguara në BQ janë ndarë edhe me këtë Klinike! Prandaj, kjo shifër është e përafërt”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Donacioneve. Në fund është theksuar se janë në proces edhe donacione të tjera të cilat janë në pritje për aprovim nga Komisioni për Donacione i Ministrisë së Shëndetësisë.
“Te gjitha donacionet janë raportuar në Qendrën Operative Emergjente, MSh dhe në kabinetin e Ministrit të Shëndetësisë”, thuhet në përgjigje. /Gazeta Shneta/