Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të paguar kujdestaritë dhe ndërrimet për stafin mjekësor.
Kjo është konfirmuar nga ud.drejtori i Financave Arsim Qorolli, i cili ka thënë se kjo është pasojë e ligjit të buxhetit i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, shkruan Gazeta Shneta.
“Në përgjigje të interesimit tuaj lidhur me pagesën e kujdestarive dhe ndërrimeve të stafit mjekësor, ju informojmë se gjatë kësaj periudhe jemi përballur me kufizime buxhetore, si dhe me kërkesë nga Thesari për reduktim të përkohshëm të listës së pagesave. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ligji i buxhetit ende nuk ka hyrë në fuqi, gjë që ka ndikuar në dinamikën e realizimit të plotë të pagesave”, ka deklaruar Qorolli.
Ai ka thënëse një pjesë e pagesave është realizuar pjesërisht, brenda mundësive buxhetore që ka pasur në dispozicion institucioni, por për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme nuk ka qenë e mundur që të përfshihen të gjithë përfituesit në këtë fazë.
“Me miratimin e buxhetit, do të bëhet kompensimi i plotë, përfshirë edhe obligimet e mbetura nga muaji paraprak”, ka deklaruar ai.




