Rreth shtatë në dhjetë persona që jetojnë me sëmundje të rralla dhe kujdestarët e tyre raportojnë çrregullime me shëndetin mendor, ndërsa tre në katër thonë se kanë pasur nevojë për mbështetje psikologjike, sipas një ankete të publikuar nga organizata evropiane për sëmundjet e rralla, EURORDIS.
Anketa, e realizuar me afro 10 mijë pacientë dhe kujdestarë nga 45 vende evropiane, tregon se shkalla e depresionit dhe ankthit në këtë grup është shtatë herë më e lartë krahasuar me popullsinë e përgjithshme në Bashkimin Evropian.
Sipas gjetjeve, ndjenja e vetmisë është deri në 20 herë më e shpeshtë, ndërsa mendimet vetëvrasëse raportohen deri në 10 herë më shumë sesa në popullatën e përgjithshme.
Organizata vlerëson se niveli i ankthit i raportuar nga pacientët me sëmundje të rralla dhe kujdestarët e tyre është i ngjashëm me atë të vërejtur gjatë pandemisë COVID-19.
Anketa evidenton gjithashtu vështirësi në qasjen ndaj shërbimeve të shëndetit mendor. Gati tre të katërtat e të anketuarve thanë se kishin pasur nevojë për ndihmë profesionale psikologjike gjatë gjashtë muajve të fundit, por vetëm rreth gjysma e tyre e kishin marrë atë.
Ndër pengesat kryesore për qasje në kujdes psikologjik përmenden kostot e trajtimit, listat e gjata të pritjes, largësia nga shërbimet dhe mungesa e informacionit për mundësitë e mbështetjes.
Sipas EURORDIS, rezultatet tregojnë nevojën për integrimin e mbështetjes së shëndetit mendor në kujdesin e pacientëve me sëmundje të rralla në të gjitha fazat e trajtimit.


