Kah mesi i nëntorit bëhen një vit që Ministrinë e Shëndetësisë e mori në menaxhim specialisti i kirurgjisë, Rifat Latifi.
Me të marrë mandatin si ministër, ai filloi edhe udhëtimet e tij për çka sot e kësaj dite po kritikohet më së shumti. Kjo për faktin se deri më tani këtyre udhëtimeve të Latifit nuk ua pa hajrin shëndetësia.
Gjatë këtyre 10 muajve, Latifi ka udhëtuar shtatë herë jashtë vendit për, siç thuhet, vizita zyrtare.
Por, a u ndërmorë ndonjë marrëveshje gjatë këtyre takimeve?
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në shumicën e këtyre vizitave është vendosur bashkëpunim ndërmjet Ministris së Shëndetësisë në Kosovë dhe ministrive të njejta në vendet ku ka qenë në vizitë ministri Latifi dhe një pjesë e kabinetit të tij.
“Kemi marrëveshjen me Shqiperinë, bashkëpunimin për trajnimin e profesionistëve shëndetësor me Izraelin, angazhimin e ekspertëve nga ShBA në dizajnimin e procesit të specializimeve dhe po ashtu një agjende bashkëpunimi me Austrinë dhe shtetet e tjera partnere për zhvillimin e programeve të subspecializimeve, trajnimeve të stafit, ngritjen e shërbimeve që na mungojnë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dhënë për Gazetën Shneta.
Nga ministria po ashtu kanë theksuar se marrëveshjet janë akte, të cilat paraprakisht diskutohen në nivele politike, “përgatiten nga ekspertët dhe nënshkruhen kur është e nevojshme”.
Në përgjigjet e tyre nuk është theksuar nëse është nënshkruar ndonjë marrëveshje gjatë këtyre 10 muajve dhe shtatë udhëtimeve të realizuara.
Gjatë ditëve të para, kur menaxhimi i Ministrisë së Shëndetësisë iu besua Latifit, ai pati udhëtuar për në Amerikë, për siç thonin nga MSh, udhëtimi ka qenë për punë personale të tij, pasi që ministri ka jetuar dhe punuar atje, andaj edhe nuk hyn në listën e udhëtimeve zyrtare.
Nga janari deri në korrik të këtij vitit, Latifi së bashku me kabinetin e tij kanë shpenzuar 5 mijë e 500 euro për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.
Ministri Latifi, në periudhën janar -korrik ka qenë në vizitë në ShBA, një herë për punë personale të tij, për të cilat nga kabineti i thonë se shpenzimet i ka realizuar me mjete vetanake financiare, ndërsa udhëtimi tjetër ka qenë zyrtar.
Në muajin janar ai udhëtoi për në Shqipëri, në mars Latifi udhëtoi për në Turqi, pastaj në prill për në Norvegji, në korrik dhe në gusht ka qenë në Austri ndërsa sot ministri ka udhëtuar për në Greqi.
Gjatë hapjes së Kongresit e dytë të Kirurgëve të Kosovës, ministri ka theksuar se gjatë muajit tetor pritet të udhëtoj për në ShBA pas ftesës së pranuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve.
Ish-ministri Armend Zemaj: ‘Vetëm një udhëtim në Austri’
Para se vendi të udhëhiqej nga Qeveria e Albin Kurtit, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, erdhi Armend Zemaj.
Në atë kohë vendi kishte filluar të ballafaqohej me pandeminë COVID-19.
Ish- ministri i shëndetësisë gjatë kohës sa ka menaxhuar Ministrinë e Shëndetësisë ka udhëtuar vetëm një herë për në Austri.
“Unë udhëtime nuk kam pas përveç në Austri që kam pas për vaksina, në Maqedoni ka qenë brenda dite që jam shku edhe në mbledhjet e qeverive që kanë qenë mirëpo ato kanë qenë një orë – me shku e me ardh – nuk është që kemi qëndru dy apo tre ditë. Udhëtim zyrtar ka qenë vetëm në Austri – takim zyrtar. Ndoshta është shumë subjektive, por nuk kemi marrë as meditje, as unë as kush ka qenë në takim”, potencoi ai për Gazetën Shneta.
Sipas tij, bashkëpunimet me vendet tjera janë të domosdoshme nëse nga ato takime ka përmirësim të sistemit shëndetësor publik në vend, në të kundërtën, sipas deputetit të LDK-së, janë takime të kota.
“Bashkëpunimi me vende të tjera është i domosdoshëm mirëpo ajo që kemi parë deri më tash më shumë ka qenë takimet pa ndonjë impaktë të bashkëpunimit apo përmirësimit të MSh”, theksoi ai.
“Ato konferencat që po i shohim mund të merren edhe përmes mekanizmave tjera, internetit apo shkëmbimit të email-ave. Derisa nuk ka marrëveshje e cila detyronin vendet për një përmirësim në fushën në të cilën shkon me diskutu atëherë është vetëm udhëtim koti”, thotë Zemaj.
Ai shton se marrja e përvojave nuk i takon një ministri. “Në këto takime do të duhej të merrnin pjesë profesionistëve apo pjesa menaxheriale por pjesa politike duket që është e panevojshme. Nëse ka marrëveshje do të ishte e suksesshme, por takimet edhe vizitat që nuk kanë ndonjë impaktë nuk janë të nevojshme por vetëm humbje kohe dhe janë të kota”, theksoi gjithashtu ish ministri i shëndetësisë.
Kujtojmë se deri kah mesi i mujit shtator 2021, ministria e Shëndetësisë është udhëhequr nga Arben Vitia. Ai e la këtë pozitë për të garuar në zgjedhjet komunale. /Gazeta Shneta/
Udhëtimet e ministrit që shëndetësia nuk ua pa hajrin asgjë, Latifit i bëhet thirrje ta lërë pozitën