Më 22 janar 2026, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund zyrtarisht anëtarësimit të tyre në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përmbyllur një proces njëvjeçar të nisur me vendime të diskutueshme në politikën shëndetësore.
Më 20 janar 2025, në ditën e parë të mandatit të tij presidencial, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të nisur tërheqjen nga OBSH, përpjekja e dytë e tij për ta larguar SHBA-në nga kjo organizatë pas tentativës së vitit 2020, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Qeveria amerikane e justifikoi vendimin me mënyrën se si OBSH-ja menaxhoi pandeminë e COVID-19 dhe kriza të tjera globale shëndetësore, mungesën e reformave urgjente dhe sipas saj, ndikimin e papërshtatshëm politik nga shtetet anëtare.
Gjatë dekadës së fundit, SHBA kishte kontribuar çdo vit me 160 deri në 815 milionë dollarë në buxhetin e OBSH-së, i cili arrin rreth 2–3 miliardë dollarë në vit.
Që nga njoftimi i largimit, politikat shëndetësore amerikane janë distancuar gjithnjë e më shumë nga kornizat ndërkombëtare.
Në fillim të vitit 2025, agjencitë federale shëndetësore, përfshirë Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), pezulluan përkohësisht komunikimet publike, duke kufizuar publikimin e të dhënave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
SHBA gjithashtu refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e OBSH-së për Pandemitë, e cila synon përgatitjen dhe reagimin më të mirë ndaj krizave të ardhshme shëndetësore.
Ndërkohë, janë ndërmarrë ndryshime të rëndësishme edhe në udhëzimet ushqimore, rekomandimet për vaksinat dhe ndihmën ndërkombëtare, përfshirë mbylljen e USAID-it.
Ekspertët paralajmërojnë se këto vendime mund të kenë pasoja serioze për shëndetin global, me miliona jetë në rrezik në vitet në vijim. /Gazeta Shneta/



