Dietat ketogjenike mbështesin humbjen afatshkurtër të peshës, por mekanizmat e saktë prapa ndryshimeve metabolike janë ende të panjohura.
Hulumtimet e reja te minjtë dhe njerëzit sugjerojnë se dieta ketogjenike mund të mbrojë kundër obezitetit duke rritur acidet biliare specifike dhe duke ulur përthithjen e kalorive në zorrë, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Efektet afatgjata shëndetësore të dietës ketogjenike nuk janë të qarta dhe ekspertët rekomandojnë dieta me bazë bimore, siç është dieta mesdhetare, që promovojnë diversitet më të favorshëm të mikrobiomit të zorrëve.
Dieta ketogjenike është një model ushqimi me pak karbohidrate që është testuar gjerësisht si një mjet për humbje peshe. Megjithatë, saktësisht se si funksionon për të ulur peshën e trupit mbetet e paqartë.
Tani, një studim i ri i publikuar në “Nature Metabolism”, sugjeron që ndjekja e një diete ketogjenike rezulton në ndryshime në mikrobiomën e zorrëve që rrisin nivelet e acideve biliare specifike te minjtë.
Këto acide biliare, përkatësisht acidi taurodeoksikolik dhe acidi taurosodeoksikolik, mund të mbrojnë kundër obezitetit duke ulur përthithjen e kalorive në zorrë. Kjo mund të çojë në një ulje të peshës trupore dhe niveleve të sheqerit në gjakun esell.
Duke e dalluar punën e tyre nga studimet tipike të kafshëve, studiuesit morën hapa shtesë për të hetuar nëse këto gjetje mund të zbatohen për njerëzit.
Ata dokumentuan lidhje të ngjashme midis acideve biliare dhe tipareve metabolike në dy studime njerëzore, duke shtuar rëndësinë e mundshme të gjetjeve të tyre. /Gazeta Shneta/


