Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nuklear së fundmi është pajisur me aparaturën për diagnostikimin dhe monitorimin e kancerit SPECT/PET/CT.
Metoda më e avancuar në botë që përdoret në diagnostikimin dhe monitorimin e kancerit, ka shumë përparësi si për mjekët ashtu edhe për pacientët, në një intervistë për Gazeta Shneta, drejtor i Shërbimit të Qendrës Klinike të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu ka folur për rëndësinë e kësaj pajisje.
Ai tha se SPECT/CT/PET është një aparaturë e re moderne e prodhuar në vitin 2023 është e teknologjisë së fundit dhe është e para e këtij lloji në rajon.
“SPECT/CT/PET që e kemi në shërbimin klinik të mjekësisë nukleare është donacion nga Fondacionin Jahjaga, është një aparaturë e re moderne e prodhuar në vitin 2023 është e teknologjisë së fundit dhe nuk ka të montuar në rajon, PET/CT përdoret për diagnostikimin e hershëm të proceseve malinje tek ata pacientë që gjatë periudhës që fillojnë të diagnostikohet nuk mund të diagnostikohet me një ultrazë, një CT apo një rezonancë magnetike, por është e fundit kur bëhet PET/CT për të parë ndryshimet që mund të jenë të pranishme në organizmin e pacientit”, tha Saphiu.
Ai tutje ka shpjeguar procesin e ekzaminimit që kalon një pacient kur i nënshtrohet kontrolleve me pajisjen moderne.
“PET/CT punon me material radioaktiv që vjen nga importi dhe është FDG dhe përdoret në realizimin e incizimeve dhe ekzaminimeve me PET/CT, kohë e zbërthimit e ka shumë të shkurtër andaj ne mundohemi të jemi shumë fleksibil kur të fillojmë punën me të që pacientët të njoftohen me kohë dhe të jenë të pranishëm në kliniken e mjekësisë nukleare për ta realizuar ekzaminimin. Pas ekzaminimit të pacientit fuqizohet imazhi mes PET dhe CT dhe ne kemi të dhëna shumë më të mira radiometabolik të organizmit të cilat i zbulon PET/CT dhe ne do të jemi më afër zbulimit të sëmundjes malinje çfarëdo qoftë ajo dhe arrijmë që edhe në të ardhmen pas realizimit të parë të PET/CT dhe pas përdorimit të procedurave të caktuara qoftë operacionit, kimioterapisë apo rrezatimit bëhet edhe një rikontroll tek ata pacientë të cilët e kanë bërë një herë dhe e shohim a kemi regres apo progres të sëmundjes. Ne i përcjellim ata pacientë me një PET/CT të dytë pas 4 apo 5 muajve për të parë se a kemi ndryshime pozitive. Kjo është procedura që përdoret në mjekësinë nukleare për të realizuar të gjitha ekzaminimet për proceser maline të cilat mund të shfaqen tek pacientët”, shpjegoi Spahiu.
E meritat për pajisjen me aparaturën e re, Spahiu tha se janë të ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe fondacionit të saj “Fondacioni Jahjaga”, e cila ka kontributin më të madh e që përmes donacionit “Al Waleed Philanthropies” nga Riadi i Arabisë Saudite u bë e mundur pajisja me të.
“Rastësisht kemi qëndruar me anëtarët e ekipit të ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe i kam shprehur dëshirën pasi që nuk ka mundësi të realizohet përmes buxhetit të shtetit a mund ta kemi donacion, unë kam kërkuar nga ata për një projekt komplet të PET qendër që do të thotë ne si Republikë e Kosovës duhet ta kemi një PET qendër, t’i kemi të gjitha në një vend, prej prodhimit, treatment, dhomat dhe të gjitha të jenë në një vend, kjo ka qenë një ide e kamotshme por që nuk ka mundur të realizohet sepse kushton shtrenjtë, kështu që ne i kemi ofruar porojektin në prill të 2022 Fondacionit Jahjaga, ish-presidentes Jahjaga qe ajo e ka marrë me dëshirën më të madhe dhe ka filluar procedurat, por nuk ka mundur të realizojë komplet PET qendrën, por ka kërkuar nga ne se a mund të fokusohet vetëm në pajisjen andaj me kemi kërkuar që kjo pajisje të jetë një PET/CT, atëherë ajo bashkë me fondacionin “Al Waleed Philanthropies” nga Riadi i Arabisë Saudite, ata kanë kërkuar që të jetë një pajisje e sofistikuar që nuk është instaluar më parë në Ballkan dhe ne sot e kemi pajisen SPECT/PET/CT që do të thotë i kemi tri aparatura në një dhe po besoj që në të ardhmen bashkë me kolegët këtu dhe klinikat e spitalet regjionale ne do ta shfrytëzojmë atë si duhet”, tha Spahiu.
Spahiu ka treguar edhe për rëndësinë që kjo pajisje ka në ekzaminimin e hershëm të sëmndjeve të kancerit.
“E rëndësishme është se pacienti diagnostikohet më herët që trajtimi i tij të filloj me kohë, si me kimioterapi, operacion apo rrezatim, me të shohim nëse pacienti ka pasur progres apo avancim të sëmundjes, të gjitha këto ne mund t’i shohim me këtë aparaturë të re, më herët fatkeqësisht nuk kemi patur në sektorin publik dhe është fat i madh që tani e kemi”, u shpreh ai.
Tutje, Spahiu ka treguar se kur pritet të filloj funksionimi i plotë i SPECT/PET/CT, e që sipas tij se do të jetë nga fundi i muajit maj ose fillimi i qershorit.
“Kjo pajisje është instaluar, është kalibruar, për PET/CT duhet të kalibrohet edhe një herë, ndërsa për SPECT/CT ne kemi filluar ta përdorim, PET/CT punon me një material radioaktiv tjetër të cilin presim ta kemi së shpejti në dispozicion, kjo presim të ndodh deri në fund të muajit maj apo fillimi i qershorit ta kontraktojmë dhe të fillojmë punën”. /Gazeta Shneta/