Një studim i ri dhe i gjerë ka zbuluar një lidhje mes konsumit të djathrave me yndyrë të lartë edhe kremrave të yndyrshëm, dhe një rreziku më të ulët për zhvillimin e demencës.
Sipas studimit, personat që konsumonin 20 gramë ose më shumë djathë me yndyrë të lartë në ditë kishin 13% më pak rrezik për t’u prekur nga demenca krahasuar me ata që nuk konsumonin fare.
Ndërkohë, ata që konsumonin 50 gramë ose më shumë krem me yndyrë të lartë në ditë kishin 16% më pak rrezik për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Neurology”, të Akademisë Amerikane të Neurologjisë, sugjeron se konsumimi i djathrave dhe kremrave me yndyrë të lartë mund të lidhet me një shëndet më të mirë të trurit me kalimin e moshës. Këto gjetje përforcojnë rezultatet e studimeve më të vogla të mëparshme që kanë lidhur konsumin e djathit me funksion më të mirë njohës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky studim nuk provon se djathi apo kremi me yndyrë të lartë e ulin drejtpërdrejt rrezikun e demencës; tregon vetëm një lidhje statistikore mes këtyre faktorëve.
Djathrat me yndyrë të lartë janë ata që përmbajnë mbi 20% yndyrë, ndërsa kremrat me yndyrë të lartë kanë zakonisht 30–40% yndyrë ose më shumë.
Studiuesja Emily Sonestedt nga Universiteti i Lundit në Suedi shpjegoi se rezultatet sfidojnë idenë se të gjitha produktet e qumështit me yndyrë janë të dëmshme për trurin.
Ekspertët e ushqyerjes shtojnë se përfitimi duket më i madh kur djathi zëvendëson ushqime më pak të shëndetshme, si mishi i përpunuar, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve dhe zëvendësimeve ushqimore. /Gazeta Shneta/


