Askush nuk dëshiron t’i nënshtrohet një trajtimi të kanalit të rrënjës, por nëse ky trajtim është i domosdoshëm, ky proces mund të sjellë përfitime të rëndësishme për zemrën.
Hulumtuesit në Britani kanë zbuluar se një trajtim i suksesshëm i kanalit të rrënjës ul inflamacionin e lidhur me sëmundjet kardiake dhe madje mund të përmirësojë nivelet e kolesterolit dhe të sheqerit në gjak, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Dr. Sadia Niazi nga King’s College London, trajtimi i kanalit të rrënjës nuk përmirëson vetëm shëndetin oral, por mund të reduktojë rrezikun për sëmundje serioze si diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Këto rezultate nënvizojnë fort se shëndeti oral është i lidhur ngushtë me shëndetin e përgjithshëm.
Studimi, i publikuar në “Journal of Translational Medicine”, vëzhgoi shëndetin e 65 pacientëve për dy vite pas kryerjes së trajtimit. Në një kanal rrënje, dentisti heq pulpën e infektuar, pastron dhe mbyll dhëmbin, duke parandaluar përhapjen e baktereve.
Kërkimet e viteve të fundit kanë treguar se infeksionet në gojë mund të shkaktojnë inflamacion në të gjithë trupin, veçanërisht në zemër.
Në këtë studim, ekipi i Niazit përdori analiza gjaku për të matur ndryshimet në molekula e proteina që tregojnë mënyrën se si trupi përpunon sheqernat, yndyrnat dhe si i përgjigjet sëmundjeve.
Rezultatet treguan përmirësim në metabolizmin e sheqerit pas trajtimit, si dhe ulje të kolesterolit, acideve yndyrore dhe inflamacionit.
Reduktimi i baktereve që qarkullojnë në gjak është shumë i mundshëm të jetë shkaku i këtyre përmirësimeve. Dr. Niazi thekson rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm, si dhe bashkëpunimin mes dentistëve dhe mjekëve për të mbrojtur më mirë shëndetin e përgjithshëm. /Gazeta Shneta/


