Një numër rekord i produkteve të dëmshme për konsumatorët u raportuan në BE gjatë vitit të kaluar, ku kimikatet potencialisht toksike ishin shkaktari kryesor.
Më shumë se 4,100 paralajmërime për këto produkte në vitin 2024 – niveli më i lartë i regjistruar në dy dekadat e fundit – sipas një raporti të Komisionit Evropian, i cili thekson se “kimikate të rrezikshme” u gjetën në kozmetikë, lëngje për cigare elektronike, veshje, bizhuteri të lira dhe lodra, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Paralajmërimet u dhanë përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë të BE-së “Safety Gate”, i cili u mundëson shteteve të raportojnë për produkte konsumatore dhe profesionale që përbëjnë kërcënim për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
Ky sistem përfshin gjithçka, nga kimikatet e ndaluara deri te rreziku për mbytje ose ngufatje, si dhe produktet që mund të dëmtojnë dëgjimin apo shikimin.
Ushqimet dhe barnat nuk përfshihen sepse ato kanë sistemin e tyre të veçantë të paralajmërimit.
Më poshtë janë disa nga kimikatet kryesore të identifikuara në produktet konsumatore dhe industriale në BE vitin e kaluar dhe ndikimi i tyre në shëndetin e njeriut:
Aromatizues sintetik
Një aromatizues sintetik i quajtur 2-(4-tert-butilbenzil) propionaldehid, ose BMHCA, u gjet në pothuajse të gjitha produktet kozmetike që përmbanin rreziqe kimike.
BMHCA përdoret zakonisht në parfume, locione, deodorantë dhe produkte për flokët.
Por ky përbërës është ndaluar në kozmetikë në BE që nga marsi i vitit 2022 për shkak të shqetësimeve se mund të dëmtojë fertilitetin dhe zhvillimin e fetusit, si dhe të shkaktojë irritim të lëkurës.
‘Kimikatet e përhershme’ të kufizuara
Parafinat e klorinuara me zinxhir të shkurtër (SCCPs) janë një grup kimikatesh industriale që përdoren si përbërës që parandalojnë ndezjen dhe gjenden në goma dhe plastika të vjetra si rripa transportues, tuba, kabllo.
Ato bëjnë pjesë në kategorinë e PFAS – “kimikate të përhershme” – të cilat shpërbëhen shumë ngadalë në mjedis, duke bërë që të grumbullohen në zinxhirin ushqimor dhe në organizmat e gjallë.
Kërkimet tregojnë se parafinat e klorinuara mund të shkaktojnë dëmtime të mëlçisë dhe veshkave, të pengojnë zhvillimin e fëmijëve, të shkaktojnë çrregullime hormonale dhe riprodhuese, si dhe probleme me sistemin imunitar.
Plumbi
Metali toksik plumb u gjet në lidhëse – substanca që përdoren për të bashkuar pjesë metalike – në BE vitin e kaluar, sipas raportit.
Nuk ekziston një nivel i sigurt i ekspozimit ndaj plumbit, dhe BE-ja ka kufij shumë të rreptë për ekspozimin ndaj tij në vendin e punës. Megjithatë, çdo vit ka rreth 300 raste të raportuara shëndetësore të lidhura me plumbin në Evropë.
Njerëzit mund të thithin grimca kur materialet që përmbajnë plumb digjen, riciklohen apo lihen pa mbrojtje. Ekspozimi gjithashtu mund të ndodhë nëpërmjet ujit, ushqimit apo pluhurit të kontaminuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Plumbi mund të përhapet në tru, mëlçi, veshka dhe eshtra. Ai ndikon në sistemin riprodhues dhe kardiovaskular dhe mund të dëmtojë zhvillimin e foshnjave.
Në Evropën Perëndimore, besohet se gati 2.5 milionë fëmijë dhe adoleshentë kanë nivele të plumbit në gjak prej të paktën pesë mikrogramë për decilitër – një nivel i lidhur me ulje të IQ-së, probleme njohëse dhe çrregullim të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), ndër të tjera. /Gazeta Shneta/


