Barnat për përmirësim të performancës lidhen me rreziqe shëndetësore, por nevojiten më shumë studime për të kuptuar pasojat afatgjata në trupin e sportistëve.
Këtë fundjavë, tri ngjarje madhore sportive – Kampionati Botëror i Notit në Singapor, Tour de France dhe finalja e UEFA Women’s EURO 2025 në Bazel – ndajnë një element të përbashkët: kontrollin antidoping.
Të gjithë sportistët monitorohen për të garantuar garë të ndershme dhe për të ndaluar përdorimin e substancave të ndaluara sipas listës së Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Në podkastin Euronews Tech Talks, ekspertët theksuan vështirësitë në zbulimin dhe studimin e dopingut.
Sipas Francesco Botrè nga laboratori antidoping në Romë, studimet për dopingun janë të kufizuara, pasi nuk lejohet administrimi i dozave të larta për arsye etike. Gjithashtu, substancat ndryshojnë me kohën dhe studimet janë ende të reja, transmeton Gazeta Shneta.
Lista e substancave të ndaluara nuk përfshin vetëm ato që dëmtojnë shëndetin – mjafton të përmirësojnë performancën apo të bien ndesh me frymën e sportit.
Sipas profesorit Dominic Sagoe, vështirësitë shtohen kur sportistët marrin më shumë se një substancë, duke e bërë të paqartë ndikimin individual të secilës.
Në përfundim, edhe pse efektet e sakta afatgjata janë ende të panjohura, përdorimi i dopingut mbetet një shqetësim serioz për shëndetin dhe etikën sportive.
Steroidet anabolike janë ndër substancat dopingu me efektet më të dokumentuara. Ato përdoren për të rritur masën muskulore, veçanërisht në sporte si atletika apo peshëngritja.
Një rast i njohur është ai i tenistit italian Jannik Sinner, i cili rezultoi pozitiv për steroide në mars 2024 dhe u pezullua për tre muaj. Sipas studiueses Astrid K. Bjørnebekk, steroidet mund të shkaktojnë zmadhim të zemrës dhe trashje të mureve të saj, duke rrezikuar dështim kardiak në afatgjatë.
Ato gjithashtu ndikojnë në prodhimin e hormoneve dhe janë lidhur me zvogëlim të volumit të trurit.
Një tjetër metodë dopingu është përdorimi i eritropoetinës (EPO), një hormon që rrit prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe përmirëson qëndrueshmërinë. Përdoret shpesh në çiklizëm dhe vrapime të gjata.
Beta-bllokuesit janë ilaçe për zemrën që ndalohen në sporte si qitja, pasi ulin rrahjet e zemrës dhe ndihmojnë në kontrollin e stresit. Ndër efektet anësore janë lodhja, marramendja dhe problemet seksuale.
Disa studime i lidhin me rrezik të shtuar për sëmundjen e Parkinsonit, por mungojnë kërkime të thelluara te sportistët. /Gazeta Shneta/


