Matcha – një lloj çaji jeshil i bluar në pluhur – ka qenë pjesë e kuzhinës japoneze për shekuj me radhë. Por kohët e fundit, kjo pije ka njohur një rritje të madhe popullariteti në të gjitha vendet e botës.
Tani, një thashethem po qarkullon në TikTok që thotë se çaji i matchas mund të ulin nivelet e hekurit – madje të çojnë në anemi nga mungesa e hekurit.
Nga ana ushqimore, matcha është e pasur me antioksidantë dhe përbërës bimorë me veti anti-inflamatore, dhe përmban një “kombinim unik të kafeinës dhe L-theaninës,” që siguron një “energji të qetë, por të përqendruar,” tha Sapna Peruvemba, dietologe dhe studente doktorature në shkencat e ushqimit në Kaliforni.
Në thelb, “matcha jep një nxitje të butë pa nervozizmin ose rënien që mund të shkaktojë kafeja,” i tha ajo, revistës Health.
Një lugë çaji matcha përmban rreth 70–80 miligramë kafeinë, që është sasia tipike për një filxhan çaji. Një filxhan kafeje ka rreth 90 miligramë kafeinë.
Shqetësimi për matcha-n dhe hekurin lidhet me një përbërës që gjendet në këtë pluhur: taninet.
Taninet janë një ndër llojet e shumta të antioksidantëve që gjenden në matcha dhe po studiohen për rolin e tyre të mundshëm në parandalimin e sëmundjeve si kanceri.
Megjithatë, taninet gjithashtu e kufizojnë aftësinë e trupit për të përthithur hekurin, duke rritur rrezikun për anemi nga mungesa e tij. Kjo gjendje mund të shkaktojë simptoma si lodhje, marramendje, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, dhe të tjera.
Matcha nuk është burimi i vetëm ushqimor i tanineve – ato gjenden edhe në çokollatë, disa perime jeshile, kafe, çajra të tjerë dhe arra. Por taninet janë të përqendruara veçanërisht në pluhurin e matchas. Një studim i mëhershëm gjeti se përqendrimi i një lloji të tanineve, epigallocatechin gallate (EGCG), ishte 137 herë më i lartë në matcha se në çajin jeshil standard.
Kjo do të thotë se ka një bazë për teorinë e TikTok-erëve për problemet e hekurit dhe matchan, shpjegoi Kirbie Daily, dietologe në Universitetin e Memphis-it.
“Matcha vetvetiu nuk shkakton anemi nga mungesa e hekurit,” i tha ajo, burimit Health. “Por mund të ndikojë në aftësinë e trupit për të përthithur në mënyrë efikase hekurin, nëse konsumohet shumë afër një vakti.”
Konsumimi i matchas së bashku me (ose menjëherë pas) një vakti të pasur me hekur e bën hekurin më pak të përthithshëm në traktin tretës, shpjegoi ajo. /Gazeta Shneta/


