Hulumtimet e fundit tregojnë se stresi kronik mund të shkaktojë përkeqësime të ekzemës, një sëmundje e zakonshme e lëkurës që karakterizohet nga kruarje e fortë.
Një studim nga Universiteti Fudan në Shangai i publikuar në revistën “Science”, ka zbuluar mekanizmat biologjikë që lidhin stresin me këtë gjendje. Studiuesit identifikuan një rrjet specifik neuronesh që, kur aktivizohet nga stresi, nxit një reagim imunitar në lëkurë, duke shkaktuar përkeqësime të simptomave, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ekzema, e njohur edhe si dermatit atopik, prek miliona njerëz në mbarë botën dhe shpesh shoqërohet me kruarje të vazhdueshme, njolla të thata dhe irritim të lëkurës.
Edhe pse trajtimet si hidratuesit dhe medikamentet mund të ndihmojnë, kjo sëmundje nuk ka shërim të plotë dhe simptomat shfaqen në mënyrë të përsëritur.
Sipas studimeve, shumë pacientë e konsiderojnë stresin si shkaktarin kryesor të përkeqësimeve.
Për ta analizuar këtë lidhje, studiuesit matën nivelet e stresit dhe ashpërsinë e simptomave tek pacientët, duke zbuluar se ata me stres më të lartë kishin inflamacion më të rëndë dhe nivele më të larta të eozinofileve, qeliza të rëndësishme të sistemit imunitar.
Eksperimentet treguan se stresi aktivizon qeliza nervore specifike në lëkurë, të cilat çlirojnë substanca që tërheqin eozinofilet dhe rrisin inflamacionin. Ky zbulim tregon se komunikimi midis trurit dhe lëkurës luan një rol kyç në përkeqësimin e ekzemës, duke hapur rrugë për trajtime më të avancuara në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


