Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kështu mund të komentohet një vizitë e ud.drejtoreshës së SHSKUK-së në Spitalin e Pejës, vetëm dy ditë pas masakrimit të trupit të foshnjës në rrobalarëse.
Në Spitalin e Pejës trupi i një foshnje të vdekur përfundoi në lavatriçe bashkë me çarçafë për shkak të papërgjegjësisë së stafit të këtij spitali për ta trajtuar njerëzisht trupin e pajetë të një foshnje të porsalindur, shkruan Gazeta Shneta.
Stafi i spitalit e la trupin e vdekur në një dhomë në repartin e Gjinekologjisë të mbështjellë me çarçafë, dhe një punonjës dyshohet se e futi në rrobalarëse pa e kuptuar veprën makabre që po kryente.
Të nesërmen prindërit kërkuan të marrin trupin e pajetë, por stafi refuzuan t’ia dorëzonin. Prindi ka rrëfyer se e kuptoi se çfarë kishte ndodhur me të kur zbriti poshtë bashkë me sigurimin dhe e panë një person duke mbledhur copat e trupit të pajetë të foshnjës.
“Pasi shkuam poshtë sigurimi e ka pa një person të spitalit aty duke i marrë copat e foshnjës dhe duke i shti në kese. Duke i mbledhë copë-copë”, – babai i foshnjes.
Prindi e lajmëroi Policinë e Kosovës atë ditë më 14 dhjetor dhe njësitet e Policisë filluan hetimet.
Ndërkaq një ditë më vonë, më 15 dhjetor Spitali e Pejës e vizitoi ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi. Ajo inauguroi një lift të sapo ndërtuar me donacion në këtë spital.

Zejnullahu-Raçi kishte qenë e njoftuar për këtë skandal, sikurse edhe Ministria e Shëndetësisë.
Por skandali i tmerrshëm u bë publik tek sot, tetë ditë pasi që kishte ndodhur dhe deri më tani nuk është dhënë asnjë sqarim nga SHSKUK dhe MSH. Ndërkaq Spitali i Pejës tentoi të mbuloj skandalin duke deklaruar se janë suspenduar shtatë punonjës. /Gazeta Shneta/




