Fëmijët e vegjël, zakonisht në moshën e kopshtit, nuk mendohen shumë para se të flasin. Ata thonë gjithçka që kanë në mendje.
Shpesh komentet e tyre krijojnë situata të sikletshme për prindërit, të cilët turpërohen nga komentet që mund të bëjnë fëmijët për paraqitjen e dikujt, për ngjyrën e lëkurës etj. “3-4 vjeçarët nuk e dinë kontekstin e duhur të gjërave që thonë”, – shpjegon Susan Verwys, profesoreshë e edukimit të hershëm të fëmijëve.
Për të menaxhuar këto sjellje të fëmijëve në publik, ekspertët japin këto këshilla:
Mësoje të thojë faleminderit
Nëse fëmija merr një dhuratë për ditëlindje që nuk i pëlqen dhe ia shpreh këtë personit që ia ka dhuruar, përfitoni nga ky moment për t’i dhënë disa mësime të rëndësishme. Mësojeni fëmijën të jetë mirënjohës dhe të falënderojë këdo që ka menduar për të duke i bërë një dhuratë, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo. Sado të zhgenjeheni nga sjellja e fëmijës, mos i mbani qëndrim sepse sjelljet e tyre nuk janë të qëllimshme.
Trego ndjeshmëri
Kur fëmija të bëjë një koment të papërshtatshëm për një person në publik, mos u zemëroni me ta, por mësojini se asnjëherë nuk duhet të bëjmë të tilla komente. Shpjegojini se tjetri do të ofendohet dhe do të ndihet keq. Por as mos e detyroni fëmijën të thojë më fal. Mjafton të kërkoni ju falje për të.
Kujdes me ato që thoni ju
Vërtet nuk mund të keni nën kontroll se çfarë thotë fëmija, por mund të tregoheni shumë të kujdesshëm në gjërat që thoni ju si prind. Jo vetëm në gjërat që i thoni drejtpërdrejt fëmijës, por çfarëdo që flisni në praninë e tij.