Një studim i ri sugjeron se konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
Ushqime ultra të përpunuara përfshijnë produktet që gjenden në shumicën e rafteve të supermarketeve, si chips, biskota, bukë e bardhë, pica, hamburgerë, pijet e gazuara, drithërat e ëmbla dhe karamelet. Këto ushqime zakonisht përmbajnë konservues, ëmbëlsues dhe aroma artificiale, janë më të qëndrueshme dhe shpesh më të lira se ushqimet e freskëta, por mund të kenë një ndikim negativ mbi shëndetin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit përdorën të dhëna nga mbi 6,800 të rritur në “Multi-Ethnic Study of Atherosclerosis”, të moshës 45–84 vjeç, të cilët nuk kishin sëmundje kardiovaskulare në fillim.
Ata ndjekën shëndetin, stilin e jetës dhe dietën e pjesëmarrësve për rreth 12 vjet dhe klasifikuan ushqimet sipas nivelit të përpunimit.
Rezultatet treguan se rreziku kardiovaskular rritej me çdo njësi shtesë të konsumit të ushqimeve ultra-përpunuara gjatë ditës. Efekti ishte veçanërisht i fortë tek amerikanët me ngjyrë, ku çdo njësi shtesë pothuajse dyfishonte rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Studimi, i publikuar në revistën “JACC Advances”, konfirmon gjetjet e studimeve të mëparshme dhe nënvizon rëndësinë e kufizimit të ushqimeve ultra-përpunuara për të mbrojtur shëndetin kardiovaskular.
Këto zbulime tregojnë se zgjedhjet ushqimore të përditshme kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shëndetin e zemrës dhe se diversiteti në popullatë është i rëndësishëm për të kuptuar plotësisht këto rreziqe. /Gazeta Shneta/


