Sipas një studimi të ri, më shumë se gjysma e pacientëve vazhdojnë të vuajnë nga simptoma të shumëfishta të traumës të shkaktuar nga koronavirusi SARS-CoV2 për disa javë edhe pasi ata ishin liruar nga spitali.
Studimi italian, i botuar në Journal of the American Medical Association (JAMA), bëri një kontroll me pacientët që shëroheshin nga Covidi mesatarisht pesë javë pasi ishin lëshuar nga spitali, shkruan BestLife, përcjell Gazeta Shneta.
Ajo që studiuesit zbuluan ishte se shumica e tyre ende kishin të bënin me dy simptoma në veçanti: lodhje ekstreme dhe frymëmarrjen e lodhur.
Studimi gjurmoi 143 pacientë, të moshave 19 deri 84 vjeç, të cilët kaluan mesatarisht dy javë në një spital të Romës; një e pesta e tyre kishin nevojë për mbështetje për ventilim.
Pesë javë pasi u dërguan në shtëpi, më shumë se gjysma e pacientëve (53 përqind) raportuan lodhje dhe gati gjysma (43 përqind) ishin ende duke përjetuar gulçim.
Dy simptomat e tjera më të zakonshme në mesin e pacientëve ishin dhimbja e kyçeve (27 përqind) dhe dhimbja e gjoksit (gati 22 përqind), sipas studimit.
Ndërsa, vetëm 13 përqind ishin plotësisht të lirë nga simptomat e Covidit dhe 87 përqind raportuan të paktën një simptomë të vazhdueshme.
“Realiteti i ashpër është se shumë pacientë vazhdojnë të përjetojnë simptoma të mbetura për javë dhe muaj pasi janë diagnostikuar dhe ‘shëruar’ nga Covid-19,” i tha gazetës HealthDay, Dr. Robert Glatter.
“Ndërsa ky studim i vogël italian zbuloi se lodhja dhe gulçimi ishin dy simptomat më të zakonshme, shumë njerëz gjithashtu përjetojnë shumë simptoma të tjera të zgjatura duke përfshirë ethe të shkallës së ulët dhe simptoma neurologjike si mpirje dhe ndjesi shpimi gjilpërash”.
Disa studiues besojnë se problemet e vazhdueshme shëndetësore mund të vijnë për shkak të inflamacionit kronik pasi sistemi imunitar i trupit vazhdon të sulmojë infeksionin viral.
Dr. Glatter vuri në dukje se njerëzit që rikuperohen nga Covid-19 mund të merren gjithashtu me çështje depresioni dhe ankthi muaj pas diagnozës, “duke e bërë sëmundjen jo vetëm fizike, por edhe emocionale”, tha ai. /Gazeta Shneta/