Mungesa e procedimit të Ligjit për Paga do t’i detyrojë sindikalistët që të dalin sërish në protestë para Qeverisë së Kosovës.
Kështu ka njoftuar Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të cilët kanë thënë se qëllimi i protestës është që të sensibilizojë Qeverinë dhe opinionin për gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë, shkruan Gazeta Shneta.
“Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por, kërkesë e cila ndikon drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e statutsit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësor në veçanti”, thuhet në njoftim.
Protesta do të mbahet të hënën më 8 nëntor në ora 10:00 para zyrës së Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës.
Njoftimi i plotë nga FSSHK:
Sot me datën 02.11.2021 në mbledhjen e Kryesisë së FSSHK-së e autorizuar nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e datës 02.09.2021 vendosi që ditën e Hënë me datë 08.11.2021 në ora 10:00 të mbajë PROTESTË, para Kryeministrisë, me anëtarët e Këshillit Drejtues. Qëllimi i kësaj Proteste është senzibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor.
Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga Janari i vitit 2022. Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por, kërkesë e cila ndikon drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e statutsit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësor në veçanti.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.