Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në faqen zyrtare të tij në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar se po bëjnë renovimin e kontratave të të gjitha barnave esenciale që po mungojnë, duke lënë të nënkuptohet se ato nuk do jenë në dispozicion deri në muajin qershor.
Ministri Ismaili ka bërë të ditur se ka dërguar për publikim tenderë për 300 artikuj të barnave të Listës Esenciale, materialit shpenzues dhe citostatikëve.
Gjithashtu, në postim ai thotë se ka arritur të krijojë istem përditësimi dhe monitorimi të stoqeve dhe kontratave, të cilat do t’i pasqyrojnë skadimin e një kontrate katër muaj më përpara, shkruan Gazeta Shneta.
“Tashmë i kemi dërguar për publikim tenderët për 300 artikuj të barnave të Listës Esenciale, materialit shpenzues dhe Citostatikëve.
Kemi krijuar një sistem përditësimi dhe monitorimi të stoqeve dhe kontratave, i cili do të na mundësojë ta kemi pasqyrën e saktë deri në 4 muaj para skadimit të një kontrate. Kështu, do të kemi kohë të mjaftueshme që kontrata të përtërihet në afatin e duhur, në mënyrë që barnat të mos mungojnë.”, thuhet në postimin e Ismailit.
I pari i shëndetësisë ka bërë të ditur edhe se rishikimi i Listës Esenciale është duke u bërë për herë të parë që nga viti 2012.
Ndryshe, ekzistojnë grupe pacientësh në QKUK me sëmundje kronike që nuk po furnizohen me barna qe një vit.
Evidente është edhe mungesa e materialeve shpenzuese elementare, si: manteli, gjilpëra e jodi./Gazeta Shneta/