S’ka marrëveshje për pagat, shëndetësia në protestë më 29 mars

2017-03-24 në ora 13:12

Punëtorët shëndetësor do të mbajnë protestë më 29 mars në kërkim të rritjes së pagave, pasi për një gjë të tillë nuk u arrit marrëveshje në takimin e sotëm ndërmjet FSSHK-së dhe ministrit Imet Rrahmani

Bujar Vitija

Një takim ndërmjet Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe ministrit Imet Rrahmani, nuk ua mbushi mendjen sindikalistëve që të heqin dorë nga protesta.

Kjo për shkakun se Rrahmani nuk mori përgjegjësinë për ngritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë, pasi sipas tij, kjo çështje u takon ministrive përkatëse dhe krejt çfarë ka premtuar është se do ta diskutojë me kryeministrin Isa Mustafa, shkruan Gazeta Shneta.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se më datën 29 të këtij muaji, do të mbahet protestë nga ora tetë deri në 9-të.

“Ligji mbi Pagat sipas ministrit nuk është kompetencë e tij dhe nuk mund të premtojë asgjë dhe përfundimisht protesta do të mbahet më datën 29. Se a do të ndërmerr diçka kryeministri apo dikush tjetër, kjo mbetet të shihet”, ka deklaruar Syla për Gazeta Shneta.

Ai ka thënë se kanë arritur marrëveshje me ministrin për formimin e komisioneve për rrezikshmërinë në vendin e punës; statutin e QKMF-ve; përqindjen e premiumeve për sigurimin e obliguar shëndetësor; ri-licencimin e punëtorëve shëndetësor dhe kushtet e punës në sektorin e shëndetësisë.

Syla ka deklaruar se megjithatë edhe për këto marrëveshje nuk do të presin për kohë të gjatë për t’u bërë ndryshimet pasi sipas tij, për rrezikshmërinë në vendin e punës grupet punuese mund të përfundojnë punën për 2 javë.

Ndërkaq në një njoftim të ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se për çështjen që lidhet me Ligjin e pagave dhe ngritjen e tyre, Ministri Rrahmani, është zotuar se këto çështje do të adresohen tek Kryeministri i vendit dhe ministritë përkatëse të Qeverisë, për të diskutuar me këto nivele, me që janë jashtë kompetencave vendimmarrëse të Ministrisë.

“Duke vlerësuar se ka mirëkuptim të dyanshëm për zgjidhjen e shumicës së çështjeve të adresuara, Ministria e Shëndetësisë konsideron se nuk ka arsye për protestë, me që dialogu dhe angazhimi i përbashkët është rruga më e mirë për adresimin e problemeve dhe nevojave në sistemin shëndetësor dhe zgjidhjen e tyre në favor të punonjësve shëndetësor”, u tha në njoftimin e MSH-së. /Gazeta Shneta/