Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është i obliguar të respektojë vendimin e Qeverisë për masat e marra kundër koronavirusit Covid-19, ku thuhet se punëtorët shëndetësorë nuk mund të marrin pushim.
Pika 1 e vendimit të Qeverisë për masat kundër koronavirusit thotë: “Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlenë për puntorët shëndetësor dhe për puntorët në sektorin e sigurisë)”.
Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia në një konferencë për media sot tha se në rastin kur të dy prindërit punojnë në spitalet publike, ka rekomanduar menaxhmentin e SHSKUK-së që t’ua përshtas orarin në mënyrë që të mos iu bie të dy prindërve të punojnë në të njëjtën kohë, por të jenë njëri në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët.
Në anën tjetër drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, thotë se janë të detyruar të respektojnë vendimin e Qeverisë për shkak të situatës. Ai ka thënë se nuk kanë kapacitete për t’iu dhënë pushim punëtorëve shëndetësorë.
“Menaxhmenti do t’i shikojë mundësitë e rregullimit të orarit, por nuk mund t’iu japim pushim punëtorëve shëndetësorë për shkak të mungesës së kapaciteteve për t’i mbuluar shërbimet në këtë situatë me koronavirusin”, ka deklaruar Sejdiu.
Për të bërë një zgjidhje për prindërit që punojnë në spitale kanë kërkuar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë si dhe deputeti i LDK-së Dr. Ekrem Hyseni. /Gazeta Shneta/