Gjinekologu turk Ahmet Payasli ka bërë fekondim in vitro në kundërshtim me ligjin në Kosovë, pasi ka përcaktuar gjininë e foshnjës. Ndonëse nëna nuk arriti të mbetet shtatzënë, ajo pagoi 9 mijë euro për të kryer IVF-në. Për më tepër, e gjithë kjo skemë mashtrimi nga ky mjek është bërë pa licencë të punës, pa nënshkruar dhe vulosur asnjë dokument që iu dha nënës
Bujar Vitija
Skandalet me pacientët kosovarë të gjinekologut turk në Kosovë, Ahmet Payasli, nuk kanë të ndalur. Përveç se ka rrezikuar pacientët me barna pa afat, produkte medicinale me prejardhje të dyshimtë, Payasli ka shkelur rëndë edhe ligjet e shtetit të Kosovës.
Një paciente e tij ka rrëfyer për Gazeta Shneta përvojën e hidhur që pati me mjekun nga Turqia dhe mashtrimin që pësoi nga ai.
Nëna, duke mos dashur t’i publikohet emri, tregon se si më 2 tetor të këtij viti shkoi në kontroll tek Payasli. Nga ai kërkoi që t’i ndihmojë të mbetet shtatzënë me djalë, pasi tanimë ajo veç ishte nënë e dy vajze.
Ndonëse në shtator i kishte skaduar licenca e punës, Payasli pranoi ta trajtoj këtë grua e cila banon jashtë Kosovës dhe i premtoi asaj që brenda muajit do të bëhet sërish nënë.
Payasli e shfrytëzoi kontratën e tij të punës me Klinikën Amerikane, ku kjo e fundit është e licencuar për kryerjen e frytnimit in vitro.
“Më tha se 100 për qind do të bëhem nënë e një djali të shëndoshë”, rrëfen nëna. Payasli do të kryente fekondim in vitro dhe do të bënte përcaktimin e gjinisë së foshnjës, duke shkelur kështu Ligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Udhëzimin Administrativ për Frytnimin e Asistuar Mjekësor.
Ai ia kishte caktuar një terapi e cila do të kryhej nga pesë ditë për tri javë. Secila terapi kushtonte nga 700 deri në 800 euro.
“Në fillim na ka thënë se krejt kjo do të kryhet për 7 mijë euro. Por më vonë na ka kërkuar edhe rreth 2 mijë tjera, ekstra për terapinë”, ka treguar nëna, shkruan Gazeta Shneta.
Pasi shkuan në klinikë më 19 tetor, nëna hyri në sallë ku do të kryhej transferimi i qelizave në mitër. Paraprakisht, asaj i ishin marr qeliza dhe sperma nga bashkëshorti i saj. Gjithçka ishte bërë gati, nëna tashmë ndodhej në sallë por Payasli nuk do të pranonte të niste para se t’i merrte 6 mijë euro.
Një nga asistentet kishte dal jashtë sallës për t’i kërkuar paratë nga një familjare e pacientes.
“Ajo i kishte thënë të presin derisa të dal unë dhe t’ua jap paratë. Por ajo motra ka insistuar që t’i marr paratë menjëherë dhe i ka thënë se s’ka ndonjë problem”, shprehet nëna.
Payasli në asnjë moment nuk i kishte vënë nënshkrimin dhe vulën në letrat që ia kishte dhënë kësaj pacienteje. Siç shihet në dokumentet që i posedon Gazeta Shneta, në receta dhe kontrolle askund nuk figuron nënshkrimi i mjekut turk dhe as vula e tij.
Pas ndërhyrjes, nëna do të udhëtonte jashtë Kosovës ku banon në një shtet evropian. Payasli i kishte thënë të bëjë analizën më 31 tetor, për të mësuar lajmin e gëzueshëm.
Nëna nuk duroi dhe më 30 tetor bëri një test shtatzënie por iu shfaq vetëm një vijë e kuqe.
“I shkrova doktorit dhe më tha të bëjë një analizë me gjak. Nuk doli asgjë. Më datën 31 mua veç më erdhi cikli”, rrëfen e tmerruar kjo nënë.
“Më tha mos u dorëzo, eja prap dhe të bëjmë zbritje të çmimit”, kujton ajo përgjigjen e ftohtë të mjekut turk, i cili e la me pasoja të rënda shëndetësore dhe u bë shkak që të humbiste punën.
“Më është dashur të rri në spital 2 javë, pasi kam pas gjakderdhje 10 ditë rresht. Edhe punën e humba”.
Dhimbjet e saj ende nuk kanë përfunduar dhe është në pritje të rezultati të analizave në vendin ku jeton.
“Jam duke vujt shumë. Nuk e di çfarë njeri duhet me kanë për me bo dallavere me këtë punë. Jam shumë keq dhe sa herë po i shkruaj po i lexon por nuk po më kthen përgjigje”, ka përfunduar nëna.
Klinika Amerikane mohon përcaktimin e gjinisë, distancohet nga veprimet e Payaslit
Pronari i Klinikës Amerikane, Vullnet Kusari, ka mohuar të jetë bërë përcaktim i gjinisë në klinikën e tij. Ai thotë të mos ketë qenë në dijeni se Payasli nuk ka licencë pune, por deklaron se ka memorandum bashkëpunimi me të.
“Në klinikën tonë kryhet IVF sepse jemi të licencuar, por jo përcaktim i gjinisë. Nuk mund të bëhet te ne dhe në asnjë klinikë tjetër”, thotë Kusari. Ai shton se mjeku nga Turqia paguhet me rrogë në saje të pacientëve që i dërgon për lindje dhe IVF.
Për pagesat që janë bërë dhe nuk janë lëshuar dëshmi, Kusari pohon se ato janë kryer tek klinika e Payaslit, dhe jo në klinikën e tij.
“Ne nuk mund të lëshojmë fatura ose dëshmi pagese për palën e dikujt tjetër”, është shprehur Kusari.
Ahmet Payasli është bastisur të premten mbrëma nga Njësiti i Krimeve Ekonomike, ATK-ja dhe Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë.
Atij i është ndaluar puna nga Inspektorati pasi licenca i ka skaduar në shtator të këtij viti. Payasli ka kërkuar rilicencim nga MSH-ja, por Bordi për Licencim do të marr vendim në bazë të konstatimit të Komisionit Etik.
Gazeta ka kontaktuar me Ordinancën e Payaslit, por nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetje duke u arsyetuar me rekomandimin e avokatit për të pritur deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. /Gazeta Shneta/