Lindja e një gruaje pa ndihmë mjekësore në klinikën e Gjinekologjisë, e cila pati si pasojë rënien e bebes në pllaka, është ndëshkuar nga QKUK-ja me vetëm një vërejtje me shkrim ndaj stafit.
“Qaty kenë motrat… Me kanë që ishin kujdes bash qashtu s’ish ra”, pati deklaruar nëna Vahide Tasholli, pas tmerrit që përjetoi kur i ra foshnja, shkruan Gazeta Shneta.
Menaxhmenti i QKUK-së thotë se Komisioni Disiplinor ka shqyrtuar ankesën e pacientes dhe ka intervistuar personelin mjekësor ditën kur ka ndodhur rasti.
“Komisioni disiplinor ka vendos konform ligjeve në fuqi që personave përgjegjës tu shqiptohet masa disiplinore vërejtje me shkrim, me të drejt ankese”, thuhet në një përgjigje të QKUK-së për Gazeta Shneta.
Por ky vendim i Komisionit nuk është konform ligjeve sipas drejtorit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra.
Ai thotë se ky rast përveç që ka thyer të gjitha afatet që pacienti të merr një përgjigje, vendimi nuk është i balancuar me shkeljen dhe pasojat e shkaktuara për foshnjën që ka rënë në pllaka.
“Se foshnja kishte rënë në tokë, nuk ka asnjë dyshim, madje ajo është pranuar edhe nga vet stafi shëndetësorë. Fakti se një argument i tillë qëndron, këtu nuk ka asnjë vend për vërejtje me shkrim. Dua të rikujtojë se, vërejtjet me shkrim jepen si masë ndëshkimore për rastet ku ka kundërvajtje (ku thyhen rregullat, por nuk ka pasoja), por jo për rastet ku ka thyerje të rregullave të cilat shoqërohen me pasoja”, ka deklaruar Kodra.
Ai e konsideron si masë të paarsyeshme edhe për faktin se rritë pasigurinë e pacientëve në QKUK, stimulon sjelljen negative të stafit shëndetësorë dhe një shkelje e dytë për pacientin që ka pësuar dëme në këtë rast.
“Ky vendim tregon se menaxhmenti i QKUK-së nuk është i interesuar të përmirësojë trajtimin e pacienteve në këtë institucion”, u shpreh Kodra. /Gazeta Shneta/