Shkencëtarët britanikë kanë përfunduar skanimin më të madh trupor në botë, duke përfshirë 100,000 vullnetarë dhe duke krijuar mbi një miliard imazhe të trurit, zemrës, kockave dhe enëve të gjakut.
Të dhënat nga projekti UK Biobank janë tani të hapura për më shumë se 22,000 studiues në mbarë botën dhe pritet të sjellin zbulime të reja për shëndetin e njeriut.
“Ky projekt na lejon të shohim brenda trupit tonë me një saktësi të jashtëzakonshme dhe në një shkallë të paprecedentë”, tha Naomi Allen shkencëtarja kryesore e Biobank, për Euronews Health.
Projekti ka nisur 11 vjet më parë dhe kombinon imazhet me të dhëna gjenetike, stilin e jetesës dhe informacione shëndetësore, duke ndihmuar në zbulimin e hershëm të sëmundjeve si problemet e zemrës, çrregullimet psikiatrike dhe sëmundjet neurodegjenerative, transmeton Gazeta Shneta.
Një analizë nga ky projekt tregoi se konsumimi i vetëm një ose dy njësive alkool në ditë lidhet me tkurrje të volumit të trurit dhe ndryshime strukturore që ndërlidhen me humbjen e kujtesës dhe demencën.
Sipas Allen, sëmundjet e rënda si kanceri, demenca apo sëmundjet kardiake fillojnë në mënyrë të heshtur dhe zhvillohen për vite me radhë. “Për shembull, sasia e yndyrës rreth zemrës është një tregues i fortë i rrezikut për insuficiencë kardiake dhe mund të përdoret si biomarker për parandalim”, shtoi ajo.
UK Biobank, i themeluar para dy dekadash, ndjek shëndetin e rreth 500,000 britanikëve dhe përfaqëson një burim të pazëvendësueshëm për kërkimet shkencore në të mirë të publikut. /Gazeta Shneta/

