Mbi 1300 kosovarë janë të prekur nga sëmundja e sklerozës multiple, ndërsa 100 prej tyre trajtohen me terapi. Neurologu Nexhmedin Shala ka deklaruar se kjo sëmundje prek pacientët në Kosovë nga mosha 15 vjeçare e tutje
Shoqata e Neurologëve të Kosovës ka shënuar sot Ditën Botërore të sklerozës multiple në Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Drejtori i kësaj klinike dhe nënkryetari i shoqatës, neurologu Dr. Nexhmedin Shala, ka thënë se në Kosovë janë të evidentuar mbi 1300 persona me këtë sëmundje, ku 100 prej tyre trajtohen me terapi.
Ai tha se nga skleroza multiple janë të goditura grup-moshat e ndryshme, duke filluar nga mosha 15 vjeçare e tutje. Dr. Shala, njoftoi se Klinika e Neurologjisë ka staf të mjaftueshëm profesionalë për trajtim të kësaj sëmundje, por nevojitet përkrahje më e madhe në trajtim me terapi, transmeton Gazeta Shneta.
Labinot Demi nga Shoqata e pacientëve me Sklerozë Multiple, tha se nevojitet përkrahje më e madhe për këtë kategori të pacientëve dhe mbulim i formave të terapisë për ta, ngase momentalisht në terapi janë vetëm 100 pacientë. Ai lavdëroi punën e stafit shëndetësor të Klinikës së Neurologjisë, të cilët sipas tij në vazhdimësi japin përkrahje profesionale për këtë kategori të pacientëve, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur) dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim. /Gazeta Shneta/