Edhe Prizreni pritet të bëhet me Qendër Klinike Universitare

2018-05-30 në ora 11:27

Prishtina së shpejti mund të bëhet me konkurrencë sa i përket shërbimeve terciare të shëndetësisë.

Kjo për shkak se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke planifikuar që Prizrenin ta bëjnë me Qendër Klinike Universitare, shkruan Gazeta Shneta.

Sipas Dr. Luan Jaha, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, një QKU në Prizren përveç se do ta lironte shumë atë në Prishtinë, poashtu do të rriste nivelin e shërbimeve.

“Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke planifikuar investimin në pajisje medicinale. Kështu do të mund të krijonim QKU-në në Prizren. Kjo do të lironte QKU-në në Prishtinë nga një pjesë e madhe e pacientëve dhe në këtë mënyrë do të rritej edhe konkurrenca ndërmjet spitaleve publike”, deklaron Jaha.

Ai ka bërë të ditur poashtu se janë duke shikuar të gjitha mundësitë për të lidhur marrëveshje me spitale në vendet evropiane për të trajnuar personelin mjekësor të spitaleve publike të Kosovës. /Gazeta Shneta/