21 marsi përveç që është shënon fillimin e stinës së pranverës, po ashtu shënon edhe Ditën Botërore të personave me Down Syndrome.
Kjo ditë është shënuar me një mori aktivitetesh nga shoqata “Down Syndrome Kosova”, në ditët e kaluara, derisa sot do të përmbyllet me hapjen e kafiterisë 21, ku do të jenë të punësuar personat me Down Sindrom. Shënimi i kësaj dite ka qenë temë edhe në programin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK 1, ku mysafire ka qenë Melita Bytyçi – Kelmendi nga shoqata “Down Syndrome Kosova”.
Ajo fillimisht ka thënë se Down Syndrome nuk është sëmundje, por thjesht ka të bëjë me një çrregullim promozonal, megjithëse sipas saj më herët këtij sindromi i janë referuar edhe si sëmundje, e madje edhe me terme edhe më të rënda.
Tutje Melita Bytyçi – Kelmendi ka theksuar se ky është viti i 11-të që shënohet Dita Botërore e personave të prekur me Down Syndrome. “Në vazhdën e aktiviteteve që i organizojmë si shoqatë edhe sivjet kemi pasur një mori aktivitetesh. Kemi filluar me çorapet shumëngjyrëshe, ku qëllimi ka qenë që ato të vishen nga të rriturit dhe në këtë mënyrë të përçohet mesazhi i sensibilitetit me personat me Down Syndrome. Pastaj kemi pasur punëtori informuese thuajse në të gjitha qytetet në Kosovë nëpër shkolla rreth kërkesave dhe nevojave për personat me Down Syndrome. Më 5 mars kemi lansuar videon e parë në media për sensibilizimin e personave me Down Syndrome. Më 10 mars kemi pasur një vërshim drejt institucioneve tona, ku kemi kërkuar që të gjithë deputetët e Kosovës pa përjashtim t’i bartin ato broshat me logon e shoqatës tonë, kurse më 17 mars në Prizren kemi pasur një shfaqje në teatrin e Prizrenit, ku kanë performuar personat e prekur me Down Syndrome”, ka theksuar Melita Bytyçi – Kelmendi.
Ndërkohë, sot aktivitetet e kësaj shoqate do të përmbyllen me hapjen e kafiterisë 21 në Prishtinë, ku do të jenë të punësuar pikërisht personat e prekur me këtë sindromë, me moton “provoni një shije më ndryshe”. “Duke pasur parasysh se shoqata Down Syndrome Kosova në projektet e saj parasheh që krahas aktiviteteve dhe trajnimit të personave me Down Syndrome qysh në fazën e hershme, të bëjë edhe aftësimin e tyre për punësim. Pikërisht kjo është njëra nga këto projekte, pasi në kafiterinë 21 do të punojnë pikërisht personat e prekur nga ky sindromë. Kjo kafiteri ka qenë e hapur edhe në vitin 2008, por nuk ka pasur përkrahjen e duhur. Shpresojmë se këtë herë përkrahja nuk do të mungojë. Sot në hapje të këtij projekti janë të ftuar zyrtarë të ambasadave dhe të institucioneve, por të mirëseardhur gjithmonë janë të gjithë qytetarët”, ka shtuar ajo.
Melita Bytyçi Krasniqi ka thënë se në Kosovë janë diku rreth 900 persona të prekur me këtë sindromë. “Ne si shoqatë kemi një marrëveshje bashkëpunimi me QKUK-në , ku pasi të lindin fëmijët me këtë sindromë dhe prindërit njoftohen me lajmin, Down Syndrome Kosova e merr një fëmijë të tillë dhe shkon e njofton nënën e foshnjës së porsalindur se si janë fëmijët e prekur me këtë sindromë, se sa munden të arrijnë në mënyrë që t’i thyejë ato barriera dhe paragjykime, që t’ia bëjmë me dije se fëmijët me këtë sindromë jetojnë, zhvillohen, mësojnë, ecin, por që kanë një botë të tyre shumë të ëmbël. Në të njëjtën kohë ne si shoqatë marrim statistika dhe ato na shërbejnë në organizimin tonë”, ka nënvizuar Melita Bytyçi – Kelmendi.
Në fund ajo ka thënë se ende ka paragjykime për personat e prekur me këtë sindromë, por aktivitetet e shumta të kësaj shoqate kanë thyer shumë barriera dhe kanë bërë që opinioni të vetëdijesohet.